Gjithcka mbi naten e erret 45vjecare komuniste shqiptare
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
LEK PERVIZI RREFEN PER DIKTATUREN KOMUNISTE
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4556
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
LEK PERVIZI RREFEN PER DIKTATUREN KOMUNISTE, Posted 07 Mars 2010, 16:31
Tregime te jetueme te Valentin Pervizit.


Valentin Pervizi (1920-1999)
Oficer akademist
Iu njoh grada Nenkolonel pas vdekjes.
47 vjet burgje e kampe internimi, 1944-1991.

Dy fjale : Valentini, vellai im, kishte krye te gjithe shkollat nga fillorja ne Akademine Ushtarake te Modenas (15 vjet) duke dale oficer me 1941. Nga rrethanat e luftes, kishte mbetun ne Itali deri 1944, ku ishte martue me nje vajze italiane nga Bolonja. Me tetor 1944 vjen ne Shqipni, ne Shkoder, me gjithe te shoqen per t’i sherbye atdheut. Ne dhjetor arrestohet e burgoset e mbahet ne burg dy vjet pa dale para ndonje gjyqi. E shoqja detyrohet te largohet ne Itali me 1946 me rastin e riatdhesimin e italianeve qe kishin mbetun ne Shqipni, sepse e gjithe familja Pervizi ishte e internueme, burra e gra e femije e ajo nuk kishte ku e si me jetue.
Prej atij dhjetori 1944, deri ne shkurt 1991, Valentini kaloi 47 vje ne burgje e kampe internimi,
me nje qendrese shembullore e me nje eksperience te hidhur per tragjedine qe kishte perjetue mbi familjen e tij dhe te tjera si d e mbi popullin shqiptar. I ndare nga grueja me te cilen bashkohet pas 47 vjet, kalue e sterkalue Odhisese se Homerit. Gjate kesaj kohe te fitimit te lirise, ai nisi te shkruaje kujtimet e veta si deshmi e çka kishte perjetue. Keto shenime me la mua per t’i perpunue, siç do te shikoni ma poshte. Du vjetet qe ndejti ne burgun e Shkodres, ai u njoh me gjithe ato shkodrane, dhe perjetoi torturat e pushkatimet e qindra te burgosunve, me nje pjese te te cileve kishte nda ato dy pellambe vend per te fjetun ne qelite e burgjeve. Deshmia e tij asht e renqetheshme per sjelljet shtazarake te komunisteve ndaj viktimave te panumerta te pafajshme, qe akoma edhe sot mbetet nje mister se si ato njerez te dehun me ideologji komuniste kryenin vepra kriminale aq dhe ma te perbindshme sepse mbi vete vllaznit e tyne shqiptare, qe nuk ishin fajtore per asnje veprim te denueshem, veçse viktima te pafajshme. Nder ta pjesa ma e mire e inteligjences shkodrane e kositun pa meshire.

Japim nje pjese se ketyne deshmive, kur ai burgoset.
Filli i tregimit bahet prej meje sipas shenimeve qe me kishte dorezue.


Në dhomën e burgut, pasi ajo u lirue nga gjysma e njerëzve, te burgosunin u sistemuen ma mirë me ato pak gjana që kishin, duke zanë secili një vend prej dy pëllambësh. Në këtë mënyrë mund të shtrihëshin me pushue e me fjetë. Pjetri u caktue si përgjegjës i dhomës. Nërkaq Valentini zuni miqesi me një mësues shkodranë, që i vleti shumë, sepse në atë ambient e ndiente veten krejt të huej. Ai quhej Gjon Harusha. Atë e kishin arrestue kot si të gjithë të tjerët. As nuk i shkonte nëpërmend se pse. Kishte punue si mësues prej ma shumë se dhjet vjet e çmohej si njeri i mirë.
Kishin kalue dy javë në pritje të njohjës së arësyes së arrestimit të tyne. Pritje e kotë sepse do të kalonn muej e muej pa i marrë kush në pyetje. Makina e diktaturës e kishte fillue punën e saj mizore. Herë-pas-here i merrnin disa të burgosun nga birucat që gjëndëshin në katin poshtë dhe i çonin në zallin e Kirit ku i pushkatonin pa proces e pa asnjë pyetje. Arësyen e dinin vetëm xhelatët e Sigurimit. Këto pushkatime hynin në programin e spastrimit para se të fillonin me punue gjyqet speciale të popullit që do të banin kërdinë ligjore. Një oficer i sigurimit i kishte thanë në mirëbesim një të burgosuni që njihte, se ato spastrime quhëshin të nëvojshme, për të eliminue të gjithë ata që dyshohëshin si të rrezikshëm ose që kishin dhanë prova si ishin të tillë, për të cilët nuk ishte nevoja të mbahej ndonjë proces. Logjikë absurde staliniste !
Një të dielë, pasi takimit të dhimshëm të të burgosunve me familjarët e tyne, Pjetri i ishte afrue Valentinit duke ndejtë për do kohë pranë tij i heshtun e krejt i tronditun. Kishte marrë vesh një lajm të keq, për të cilin ma vonë i foli. Një mik nga Berati u kishte thanë te vetëve se në Berat Sigurimi kishte thirrë njerëz të ndryshëm për të marrë informata të çdo lloj mbi Pjetrin.
- Ja – i kishte thanë Pjetri – nuk do të kalojë shumë kohë dhe do të më çojnë në Berat për të më gjykue.-
Ai kishte qenë në Berat si komandant i xhandarmërisë në kohën e gjermanëve. Gjatë detyrës ishte mundue me i ardhë në ndihmë popullit dhe kishte fitue simpatinë dhe besimin e qytetarve duke shpetue me dhjetra jetë të rinjësh dhe duke evitue shkatërrimin e qytetit prej gjermanëve. Por sa pare ban.
- E di – kishte shtue – se beratasit do të dalin në mbrojtje time. Por çdo gja që bahet në favor tim me rrezikon ma tepër. Në sistemin komunist popullariteti për mirë asht një « minus » i madh Prandaj, pikërsiht sepse kam një opinion shumë të mirë në Berat, që tani e ndjej veten të pushkatuem.-
Nuk kaluen dhjetë ditë dhe Pjetrin e morën dhe e çuen në Berat, ku, siç ai e parashikoi, e pushkatuen, pavarësisht se shumë beratas dolën dëshmitarë në favor të tij. Gijotina e diktaturës tashma priste koka njerëzish pa kursim.
Në burgun e Valentinit nisi te zbatohej ligji i revolucionin francez. Pa dalë mirë dita dëgjohëshin hapat e rojëve dhe njerëzit i zinte ankthi. Hapej dera, dhe lexohëshin emnat e fatkeqëve që i priste vdekja. Të thirrunit çohëshin për të shkue si berret te kasapi. Sa tmerr kur shoku që kishe pranë degjonte emnin e çohej e vishej shpejt e shpejt, dhe ulej e përqafonte mikun e tij duke i thanë në vesh : - Mos na harroni. Mirupafshim në botën tjetër !- Valentinit i kishte ndodhë sa herë që t’ia merrnin shokun pranë. Tashma burgu ishte kthye në një dhomë pritje për shumëkend. Paradhomë e vdekjes. Çdo mengjes përsëritej njejta skenë në të gjithë dhomat e qelitë e burgut. Askush nuk e ndjente veten të sigurtë për ditën tjetër, se kujt do t’i vinte radha. I merrnin si kafshët, duke i shty para me shqelma dhe me kondakët e pushkëve, pastaj u vinin prangat. Ajo që e randonte ma tepër atmosferën e terrorit ishte se asnjeni prej fatkeqëve nuk e dinte pse pushkatohej. Ndodhte se vinte dikush dhe i pyeste aty jashtë në koridor, por jo që t’i shkonte mendja kujt se me ato dy tri pyetje kote ishte vendosë fati i tyne për ta zhdukun nga kjo botë. Ky ishte fillimi i terrorit të kuq, që në Shqipni do të zbatohej në mënyrën ma t’egër e makabër, duke ba kerdinë mbi shqiptarët e pafajshëm.
Valentini i jetonte të gjithë ato emocione, ato tronditje e si gjithë shokët e tjerë, edhe ai rrinte në pritje të asaj që nuk mund të përfytyrohej, por që mund të ndodhte. Ato çaste kur akoma ishte errët dhe dëgjohej zhurma e shulave dhe kërsitja e derës që hapej ngadalë ku dukej hija e zezë e një xhelati.
Secili nga ato shokë të dashun e miq, që një fuqi e kobshme vinte me i marrë duke i nda përgjithmonë prej të tjerëve, ishte ma tepër se një vlla. Pas ma pak se një orë, dëgjohëshin krisma e armëve vrasëse, dhe disa nga të burgosunit mbyllnin veshët. Këto skena rënqethëse përsëritëshin çdo dy javë.
Kur do të krijohëshin gjyqet speciale ? Nabare të burgosunit do të kishin « privilegjin » të pushkatohëshin zyrtarisht me dokumenta. Por do të kalonte shumë kohë deri në krijimin e atyne gjyqeve speciale te mallkueme !
Nji ditë kishin sjellë në dhomën e Valentinit dy malësorë nga zona në kufi me Jugosllavinë. Njeni ishte i naltë rreth 1.80 dhe me trup të lidhun e muscoloz, me një fytyrë të rregullt që shprehte një natyrë të mirë e krenare. Ndërsa tjetri pak ma i vogël me një fytyrë të ashpër, që tregonte egërsi të madhe. I pari quhej Gjergj Luli e tjetri Gjek Marashi. Të dy nga Kelmendi, qendra kryesore e asaj krahine malore. Në dhomë ishte njeni që i njihte mirë, që quhej Pjetër, i cili na i përshkruejti nji ditë që i morën në pyetje në zyrë e burgut. Ai tha se ishin dy burra shumë trima dhe të besës, që rrallë gjënden në botën e tanishme
Kur erdhën në fuqi komunistë, ato dolën në mal. Pas disa muej, nji ditë, komandanti operativ i zonës, u çon fjalë se kishte marrë urdhën nga nalt për me ua internue familjet dhe me ua djegun shtëpitë. U dha 48 orë kohë me mendue se si me vendosë : ose me u dorëzohue ose me ndejtë të arratisun. Për rastin e dytë, masat do t’ishin të rrebta. Prandaj të vendosnin. Ata, për të mos lejue internimin e familjeve dhe djegien e shtëpive, vendosën të dorëzohen me kusht që të pushkatohëshin por mos t’i prekte kush me dorë as në gisht. Komandanti partizan e pranoi menjëherë kushtin se askush nuk do t’i cikte me dorë. Kështu u treguen ata shokëve të burgut duke shtue : - Ne jemi në pritje që të na pushkatojnë. Dek se me dekë, do të vdisnin me ndërgjegje të qetë të shpetimit të familjeve e të shtëpive. –
A do të ketë vallë njerëz të tillë akoma në botë, me aq forcë morale dhe me karakter aq të kalitun ?
Sa herë që dukej te dera ndonjë ushtarak ata të dy i shanin me lloj lloj fjalësh. Një ditë erdhën dy policë duke i njoftue se i kërkonte në zyrë drejtori për disa pyetje. Pas pak hypi nalt nji togë partizanësh që u zunë dorë për dore dhe filluen të hedhin valla e të këndojnë në paradhomën e shtrueme me dërrasa. Me ato këpucë me thumba hekuri merre me mend se ç’zhurmë banin mbi dyshemenë e drujtë. Ata vallzonin në rreth si njerëz t’egër të xhunglave afrikane duke bërtitë sipas ritmit të një kange luftarake tashma të njohun « Te ura mor te ura, te ura në Drashovicë… » aq shurdhuese sa të burgosunit nuk merreshin vesh me njeni tjetrin. Ashtu vepronin gjithmonë kur ishte puna me torturue e me rrah të burgosunit.
Pas nji ore u hap dera dhe dy forma njerëzore u hodhën midis dhomës, si t’ishin dy thasë me zhele, aq keq i kishin katandisë ato dy të shkretët sa mos me i njohun as shokët e tyne. Duke mos mundun me qëndrue në kambë, shkuen te vendet e tyne kambadorës. Ja pse ato hordhi barbare kishin krijue gjithë atë zhurmë, që askush mos t’i dëgjonte britmat e tyne. I kishin rrahun me shkopij deri sa i kishin shtri për tokë si të dekun. Vetëm pas disa ditëve ata filluen të lëvizin pakëz. Në një çast Valentinit i ishte afrue Gjeka duke i thanë nëse e dëgjonte atë kangën që vinte nga jashtë. Vertet po e degjohej nje za qe kendonte.
- Ajo asht nji shej me të cilën një kushri i imi më lajmëron se nesër në mëngjes do të na pushkatojnë.
Kur ra nata e luti Valentinin që të loznin një domino katërshe. Valentini thirri profesor Angjelin Saraçin dhe Gjon Harushën që të bashkohëshin në atë lojë. Luejtën deri natën vonë, deri kur Gjeka i luti shokët ta falnin se donte me fjetë. Pastaj iu kthye Valentinit ; - Shikoje Gjergjin se si asht katandisë në gjumë.- Gjergji ashtu siç ishte i shtrimë dukej krej i skuqun e i mbulum me ndjersë. Kushëdi ç’andrra të tmerrshme e mundonin. Valentini deshi të pushonte, por nuk mundi me mbyll sy atë natë, sepse pati dhimbje të madhe në një vesh. Disa herë, gjatë natës, Gjeka çohej dhe merrte leje me shkue në banjo, që gjëndej i mbeshtetun mbi murin e rrethimit. Por më kot. Edhe po të kishte pasë flatrat nuk mund të kishte ba asgja, sepse mbi terracën sipër ishte roja me automatik ndër duer.
Erdhën e i morën pa zbardhë agimi. Qelizat ishin të ngushta e mezi rrinin tetë vetë në to. Ku njena nga rojet lexoi emnat të gjithë u çuen në kambë për t’u përfalun me ta për herën e fundit. U përqafune me lot ndër sy. Gjergji e hoqi trikon e leshin qe mbante dhe ia dha Valentinit duke e falenderue që ia kishte uhajtun. Fanela ishte e tij, por si njeri i mirë që ishte ia dha në nji mënyrë qe rojet të mos e kuptonin që po ia linte si kujtim, sepse përndryshe Valentini mund të kishte pësue një keqtrajtim.
Kishin vendosë t’i pushkatonin në një vend afër Shkodrës, pikërisht në Koplik, ku Llesh Marashi kishte luftue kundër forcave partizane të Mehmet Shehut. Mbasi nuk ishte ma larg se 7-8 kilometra i kishin çue në kambë, sepse një ditë ma përpara i kishin njoftue gjithë partizanët e banorët përreth që të vinin për t’i pa se ç’kafshë ishin. Ato që ishin rreshtue nga dy anët e rrugës, ishin të gjithë të rinj e të reja partizane, me uniformat lecka lecka që bertinin e shanin si të çmendun kundër atyne heronjve të vërtetë.
Kur i kishin çue në vendin e ekzekutimit, ku ishte mbledhë gjith ai popull që i njihte ato të dy, i kishin mbështete pas një muri ashtu të prangosun. Kur krisi batareja e armeve, Gjeka ishte lakue në gjuejtjet e para, kurse Gjergji e kishte mbajtë në krahët e tij të fuqishëm deri sa të dy ishin rrëxue së bashku, me qindra plagë plumbash mbi trupat e tyne.
Në kohën e pushtimit italian, dilte një rivistë, në të cilën ma shumë se njeherë paraqitej fotografia e Gjergjit, si prototip shembullor i racës shqiptare, jo vetëm për trupin e tij atletik, por edhe për bukurinë e fytyrës me trajta të rregullta e të përsosuna. Por sistemi komunist ishte kundër çdo gjaje të bukur e fisnike, qoftë të përmasave të njeriut apo të përmasabve historike, kulturore e të traditave ma të mira shqiptare. Po tregohej krejtesisht si një sistem antishqiptar e antinjerëzor.
Nuk kaluen dy jave dhe në qelinë e Valentinit, para se me dalë dita, erdhë e morën tre të tjerë kandidatë për pushkatim. Ndër ta një fshatar i quejtun Hasan Bërdica. Sa ndigjoi emnin e tij, u çue në kambë dhe u vesh shpejt e shpejt. Pastaj u kthye nga Valentini dhe shokët e tjerë :
- Me thanëtë drejtë, nuk e prisja një fund të tillë. Nuk e ndjej veten fajtor për asgja, sepse nuk i kam ba keq kërkujt. Por më sa po kuptoj, në librin tim asht Allahu që e ka vu fjalën fund. Të më falni nëse ju kam mërzitë. Mirupafshim në botën tjetër !- Kjo ishte përshëndetja e zakonshme e të gjithë të denuemve me vdekje. Në oborr e pritshin gjashtë të tjerë të caktuem me vdekë. I përcollën me roje të forta deri të vendi ku do të bashkohëshin me gjashtë të tjerë të sjellun nga burgu i vjetër. I hypën në një kamion ashtu siç ishin të lidhun dy nga dy me pranga. Hasani që kishte mbetë vetëm dhe i fundit për me hyp në makinë, me një lëvizje të shpejtë majtas, ishte shkëput dhe ia kishte dhanë vrapit. Partizanët, të armatosun deri në dhembë, kishin mbetë të befasuem, por menjëherë kishin fillue me gjuejt mbi të breshëri plumbash. Por ai me shkathtësi duke u fut nëpër rrugicat u kishte shpëtue. Ishte një mrekulli, sepse nuk e kishte goditë asnjë plumb, nga ato qindrat që u shprazën mbi të. Pas kësaj skene, makina u nis dhe të 12 viktimat e tjera iu banë fli idhullit komunist sipas ritit makabër që kryhej gati për çdo ditë mbi zallin e Kirit. Ndër këto të pushkatuem kishin ndodhë dhe dy prifta katolikë.
Përsa i përket Hasanit, Valentini e kishte marrë vesh nga malësorë të tjerë të sjellun në burg, se pas gjashtë muej qendrimi në mal, forcat e ndjekjës e kishin pasë rrethue në një arë misri, ku kishte krisë pushka dhe i shkreti Hasan pas një luftimi të rrebtë kishte mbetë i vramë.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 26 Nëntor 2020, 02:45
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari