Gjithcka mbi naten e erret 45vjecare komuniste shqiptare
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
31 DHJETOR 1943 - KONFERENCA E BUJANIT DHE TRADHETIA
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4326
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Konferenca e Bujanit dhe tradhetia
Imazh

KULLA E MIC SOKOLIT - BUJAN

Parathënjes: Konferenca e Bujanit u mbajt në katundin Bujan, në shtëpinë e bajraktarit të Krasniqes; Sali Manit, me 31 Dhejtor 1943, dhe vazhdoi deri me 2 Janar 1944. Konferenca e Bujanit ka qenë një mashtrim për Shqiptarët. Qëllimi kryesor i komunistëve jugosllavë ishte dhe mbeti ripushtimi i Kosovës. Jugosllavët nuk e kishin aspak të sigurtë ripushtimin e Kosovës, sepse lëvizjet nacionaliste ishin të gjitha për një Shqipëri Etnike. Bile edhe ata që bashkpunuan me pushtuesin ishin për një Shqipëri Etnike. Prandaj atyre ju nevoitej të përdornin Partinë Komuniste të Shqipërisë; ( me në krye Enver Hoxhën ), tw cilën e kishin formuar vetë dhe të cilën e kontrollonin drejtpërdrejt.
Çka U Vendos Në Konferencën e Bujanit?
Populli shqiptar iu bashkua koalicionit antifashist në Luftën e Dytë Botërore, duke dhënë kontributin e vet përkrah shteteve të tjera pjesëmarrëse në të. Rirreshtimi në këtë anë ishte e vetmja zgjidhje e shqiptarëve në mbrojtje të interesave shqiptare. Forcat politike që u angazhuan në këtë drejtim kontribuan të mos mbyllej rruga e aspiratave për një Shqipëri të lirë dhe etnike, që ishte edhe program i rilindasve dhe që u përfshi edhe në vendimet e Konferencës së Bujanit. Përse PKJ goditi vendimet e Konferencës dhe përse PKSH heshti atëherë kur vendosej për fatin e Kosovës?


Ejup RAMADANI

Kosova është vetëm një nga trevat shqiptare, kurse shteti shqiptar, pas vitit 1913, ka përfaqësuar më pak se gjysmën e këtyre trevave. Problemi i trojeve dhe i popullit shqiptar përgjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore ishte i madh dhe kompleks, i cili nuk është trajtuar siç duhej jo vetëm nga zyrat e diplomatëve europianë, por as nga historiografia botërore, sidomos ajo sllave.

Populli shqiptar është i vetmi në botë i cili pasi çliroi trojet e veta me forcat e veta, pa pjesëmarrjen e shteteve të huaja, ndihmoi në asgjësimin e ushtrive fashiste në Mal të Zi, Sanxhak, BeH, Kroaci dhe Slloveni. Shqiptarët luftuan edhe kundër forcave çetnike më 1944/45, po ashtu ata u vranë prapa shpine nga eprorët komunistë sllavë të Armatës Jugosllave, që ishin nisur në luftë kundër trupave italiane dhe gjermane në prill të vitit 1941, pastaj u masakruan në Tivar, u zhdukën në Frontin e Sremit, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, u vranë në Ferizaj, Drenicë, Tetovë etj.


NGJARJET QË I PARAPRIJNË KONFERENCËS SË BUJANIT

Konferenca Nacional Çlirimtare për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit (Konferenca e Bujanit), u mbajt në kohën kur lufta çlirimtare antifashiste po përparonte me hapa të shpejtë dhe njëkohësisht ndihej nevoja për krijimin e një organi udhëheqës në Kosovë.
Kapitullimi i Italisë fashiste, në shtator 1943, shtroi nevojën përpara forcave politike në Kosovë për formimin e Këshillit Antifashist, si organ më i lartë politik.



Konferenca e Bujanit u organizua me iniciativën e Komitetit Krahinor të PKJ-së për Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit. Për mbajtjen e saj shqiptarët e Kosovës morën për bazë edhe vendimet e marra nga organet udhëheqëse të Luftës në Jugosllavi, sidomos të mbledhjes së KANÇJ (Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar), të mbajtur në Bihaç, në nëntor të 1942. Në përputhje me vendimet e këtyre mbledhjeve, popujt e Jugosllavisë, ndër to edhe shqiptarët, duhej të formonin këshillat nacionalë - çlirimtarë. Shqiptarët e Kosovës morën për bazë edhe deklaratat e udhëheqësve politikë jugosllavë që flisnin për barazi mes popujve dhe faktin se shqiptarët deri në atë kohë trajtoheshin si komb. Gjithë këto deklarata koha i dëshmoi se ishin vetëm demagogji e udhëheqësve jugosllavë.


Shqiptarët nuk u ftuan në Jajce

Një moment të rëndësishëm për qëndrimin e PKJ-së ndaj shqiptarëve përbëjnë vendimet e mbledhjes së dytë të KANÇJ, që u mbajt në Jajcë më 29-30 nëntor 1943, ku morën pjesë 146 delegatë nga të gjitha viset e Jugosllavisë, ku shqiptarët nuk morën pjesë sepse nuk ishin ftuar. Në këtë mbledhje u vendos krijimi i Jugosllavisë mbi baza federative, ku sigurohej barazi e plotë e serbëve, kroatëve, sllovenëve, malazezëve dhe maqedonasve dhe gjithashtu njiheshin këshillat nacional-çlirimtare të këtyre popujve si organe më të larta politike. Çështja shqiptare nuk u përmend fare në këtë mbledhje, kurse statusi i Kosovës nuk u përcaktua. Gjithashtu nuk u ftua asnjë përfaqësues i PK të Shqipërisë, përkundër asaj se në mbledhjet e komunistëve shqiptarë merrnin pjesë emisarë jugosllavë, kurse në disa raste e kishin edhe fjalën kryesore, siç ishte rasti me Miladin Popovi[in dhe Dushan Mugoshën, Svetozar Vukmanoviç - Tempon etj. etj.


Fshehja e vendimeve nga rusët, Kominterni dhe opinioni i gjërë

Disa studiues janë të mendimit se vendimet e KANÇJ-së mbi krijimin e federatës jugosllave nuk kanë qenë të njohur për opinionin e gjërë. Ata bazohen në pohimin e anëtares së Byrosë Politike të KQ të PK të Bullgarisë Cola Dragoiçeva: "Vendimi i KANÇJ-së për krijimin e federatës jugosllave na erdhi vonë, nga mesi i pranverës së vitit 1944.". Gjithashtu edhe deklaratat e udhëheqësve jugosllavë se mbledhja u përgatit në fshehtësi dhe se vendimet fshiheshin nga rusët, Kominterni dhe opinioni i gjërë.
Në literaturën historike, mospjesëmarrja e shqiptarëve në këtë mbledhje sqarohet me faktin se PKJ dhe PKSH shihnin problemin e Kosovës si çështje që do të zgjidhej prej tyre pas përfundimit të luftës. Pas gjithë këtyre konstatimeve të historianëve,del se shqiptarët nuk i njihnin vendimet e mbledhjes së dytë të KANÇJ-së, pasiqë ata ishin kundër interesave të popullit shqiptar të Kosovës.


Karta e Atlantikut si bazë e Konferencës

Është me rëndësi të përmendet se Konferenca e Bujanit u mbajt pas mbledhjes së dytë të KANÇJ-së, pas vendimit të Parlamentit shqiptar për bashkimin e tokave shqiptare në Jugosllavi me shtetin e ri shqiptar, që u formua pas kapitullimit të Jugosllavisë së dikurshme, pas Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe pas Mbledhjes së Mukjes. Këto mbledhje i paraprinë Konferencës së Bujanit, e cila kishte për bazë, veçmas, Kartën e Atllantikut, të formuluar më 14 gusht 1941 nga ana e fuqive të mëdha, ku në pikën e tretë thuhej: "Respektohet e drejta e gjithë popujve të zgjedhin formën e qeverisjes dhe sovraniteti e vetëqeverisja t'u kthehet atyre që u është marrë me forcë". Më 19 deri 30 nëntor të vitit 1943 kemi Konferencën e Moskës, me pjesëmarrje të Anglisë, SHBA-ve, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës, ku u ndie nevoja e formimit të një organizate ndërkombëtare të përgjithshme të mbështetur mbi barazinë sovrane të të gjithë popujve, të hapur për anëtarësimin e gjithë shteteve, për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare etj. Në pikën e gjashtë të Deklaratës thuhet: "Pas përfundimit të konfliktit Fuqitë e Mëdha nuk do të përdorin forcën e tyre ushtarake në territoret e shteteve të tjera, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga kjo deklaratë dhe pas konsultimeve të përbashkëta".
Lidhur me vendimet e Konferencës së Moskës, sekretari amerikan i shteti C. Hull, deklaroi përpara Kongresit: "Gjatë kohës që vendimet e katër fuqive hynë në veprim, nuk do të kemi nevojë për sfera interesi, për aleanca ose për rregullime të atilla që në të kaluarën e hidhur i detyruan kombet të përpiqeshin shumë për mbrojtje të sigurisë dhe interesave të tyre".
Në këtë periudhë u mbajt edhe Mbledhja e Teheranit (dhjetor 1943), me pjesëmarrjen e tre fuqive të mëdha. Në Deklaratën e saj thuhet: "Me këshilltarët diplomatikë ne kemi studiuar problemet e së ardhmes. Ne do të kërkojmë bashkëpunim dhe pjesëmarrje aktive të të gjithë kombeve, të mëdhenj e të vegjel, popuj që me zemër e mend i janë përkushtuar luftës për zhdukjen e tiranisë, të skllavërisë, të shtypjes dhe mungesës së tolerancës. Ne do t'i mirëpresim kurdoherë ata që do të vendosin të hyjnë në familjen botërore të kombeve demokratike".
Jo rastësisht i përmendëm këto ngjarje, sepse ato i paraprinin Konferencës së Bujanit që është është temë e shqyrtimit.

ÇFARË PËRMBANTE REZOLUTA E KONFERENCËS SË BUJANIT
Gjatë Luftës së Dytë Botërore çlirimi i Shqipërisë dhe sovraniteti kombëtar lidheshin ngushtë me zgjidhjen e çështjes kombëtare, si një nga problemet më të vështira të popullit shqiptar, të cilët, si një popull i ndarë, synonin që nëpërmjet luftës së përbashkët kundër fashizmit, krahas çlirimit nga sundimi i huaj, të realizonin aspiratën për bashkimin kombëtar në bazë të parimeve të shpallura nga shtetet pjesëmarrëse në koalicionin antifashist. Nga zgjidhja e këtij problemi varej edhe pjesëmarrja e shqiptarëve në luftën antifashiste.


Ejup RAMADANI

Vendimi për mbajtjen e Konferencës së Bujanit u morr gjatë mbledhjes së Komitetit Krahinor të PKJ-së për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit, mbajtur në malet e Sharrit, më 3 deri 5 nëntor 1943, ku ndër vendimet kryesore ishin: formimi i Këshillit Nacional Çlirimtar për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit dhe thirrja e një konference ku do të realizohej ky vendim me pjesëmarrjen e gjithë kombeve, të ndërrohej emri nga "Metohi" në Rrafshi i Dukagjinit, të themelohej Shtabi Kryesor i Ushtrisë Nacional Çlirimtare dhe i aradhave partizane për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit etj.
Konferenca e Bujanit i zhvilloi punimet prej 31 dhjetorit të vitit 1943 deri më 2 janar 1944 në orën 19, në shtëpinë e atdhetarit të njohur dhe bajraktarit të Krasniqes Sali Manit, në fshatin Bujan (Bunjaj) të Krasniqes të Malësisë së Gjakovës, në Shqipërinë Perëndimore. Përveç delegatëve të ftuar morri pjesë edhe përfaqësuesi i misionit anglez majori aily. Pjesëmarrësit kanë dëshmuar se në dhomën ku mbahej mbledhja nuk ishte vendosur asnjë flamur apo simbol me qëllim që të mos prekej askush. Jo rastësisht ishte zgjedhur Malësia e Gjakovës, pasiqë ky vend njihej për përpjekjet e vazhdueshme për liri dhe pavarësi.
Ideja për formimin e Këshillit Krahinor Nacional Çlirimtar u përkrah edhe nga Boro Vukmiroviqi, sekretar i atëhershëm i partisë dhe Ramiz Sadiku, por u shty për më vonë shkaku i vrasjes së këtyre dy veprimtarëve komunist.
Sipas burimeve historike, në këtë Konferencë morën pjesë 49 delegatë (43 shqiptarë dhe 6 serb dhe malazezë), kurse 12 të tjerë nuk mundur të arrinin shkaku i gjendjes së luftës që mbretëronte në disa krahina.
Delegatët pjesëmarrës ishin me ide nacionaliste, komuniste, përfaqësues të forcaave të armatosura, rini komuniste etj. Ndonëse mbizotëronte elementi komunist ata nuk përfaqësonin ndonjë rrymë të caktuar politike. Gjashtë delegatë ishin nënshtetas të Shqipërisë, kurse katër ishin nga Krahina e Pllavës dhe Gucisë. Kryesia e KNÇ-së përbëhej prej nëntë anëtarëve (shtatë shqiptarë dhe dy serb e malazezë).


PKSH-ja kontrollohej nga emisarët jugosllav

Pjesëmarrja e nënshtetasve të Shqipërisë kishte qëllim të caktuar: bashkëpunimi i PKJ-së dhe PKSH-së ishte i ngushtë, por mund të themi se komunistët shqiptarë kryekëput kontrolloheshin nga komunistët jugosllav si Milladin Popoviçi, Dushan Mugosha, Svetozar Vukmanoviç - Tempo etj.
Këta komunistë u përdorën për qëllimin e caktuar: përgatitje të terrenit për bashkim të mundshëm të të dy vendeve pas luftës ose kthimin e Shqipërisë, së bashku me Kosovën, në republikë të shtatë jugosllave.

Një nga pjesëmarrësit e Konferencës Sadik Bekteshi, lidhur me nevojën e organizimit të kësaj Konference, ka thënë: "Në mbledhjen e KANÇJ-së, PKJ-ja doli haptas për një Jugosllavi federative ku të gjithë kombet e Jugosllavisë së vjetër, pas përfundimit të luftës, do të mbeten në kuadër të kësaj federate, pra shqiptarët sërish mbeteshin nën sundimin sllav. Përpara kësaj tragjedie shqiptarët nuk mund të rrinin indiferent, prandaj dhe për këtë shkak u mbajt Konferenca e Bujanit. Populli i Kosovës duhej që me vrull të merrte pjesë në këtë luftë, kurse me përfundimin e saj të merrte pjesë në tryezën e bisedimeve dhe si fitimtar të realizonte aspiratat kombëtare, bashkimin e gjitha trojeve të copëtuara nga Fuqitë e Mëdha".



REZOLUTA E KONFERENCËS SË BUJANIT

Në hyrje të Rezolutës thuhejë arrihet bashkimi i rrymave të ndryshme politike, bashkimi dhe vëllazërimi i të gjithë popujve të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, forcimi dhe organizimi i luftës së armatosur kundër pushtuesit dhe bashkëpunëtorëve të tij, vlerësohet Ushtria e Kuqe dhe roli i saj, në frontin politik ajo ndjek vijën e propagandës sovjetike, dënon të kaluarën e Jugosllavisë së Versajit, sulmon udhëheqësin çetnik Drazha Mihailloviqin dhe Ballin Kombëtar si forca që kanë ndihmuar ikjen e serbëve dhe malazezëve nga Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit".


Pikat kryesore të Rezolutës

1. Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit janë të banuar kryesisht me shqiptarë.

2. Shqiptarët e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, si gjithmonë, dëshirojnë bashkimin me Shqipërinë.

3. Rruga më e mirë për shqiptarët që të bashkohen me Shqipërinë është lufta e përbashkët me popujt tjerë të Jugosllavisë.

4. Populli shqiptar i Kosovës do të ketë mundësi të caktojë fatin e vetë si rezultat i luftës kundër pushtuesit.

5.Përcaktimi i fatit të vetë përfshin edhe të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje.

6. Kjo e drejtë garantohet nga LNÇ e Jugosllavisë, Shqipërisë dhe nga aleatët e mëdhenj antifashist, ashtu siç është premtuar nga Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës dhe Teheranit.

Rezoluta pasqyron vijën politike të PKJ-së dhe PKSH-së në qëndrimin politik ndaj pushtuesve të huaj dhe qëndrimet përfshirë në dokumentet ndërkombëtare, që premtonin vetëvendosje. Në përpilimin e këtyre vendimeve kemi ballafaqim të dy grupimeve, pra shqiptarët që nuk mund të lejonin një sundim të Jugosllavisë dhe komunistët jugosllavë që nuk mund të pranonin copëtimin e Jugosllavisë. Këtu qëndron edhe përgjegjësia e PKSH-së.


Konferenca si përgjigje ndaj indiferencës së PKSH-së

Pavarësisht, nga disa, Konferenca e Bujanit morri qëndrime të rëndësishme. Problemet me të cilët u preokupua populli shqiptar u trajtuan në përputhje me detyrat që qëndronin përpara tij e në dobi të luftës, të aspiratave të popujt dhe rajonit dhe të popujve antifashist.
Konferenca e Bujanit ishte kulmi i procesit politik dhe organizativ të LNÇ të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit. Pikësynimi kryesor ishte organizimi i Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit si një entitet politik e ushtarak me organet e veta të pushtetit, kurse me përfundimin e luftës të ishte njësi e pavarur, kurse si rrjedhin i kësaj të fitonte të drejtën për vetëvendosje. Konferenca vendoste Kosovën politikisht dhe juridikisht në të njëjtin nivel me njësitë tjera territoriale. Njëkohësisht ishte edhe një përgjigje ndaj qëndrimit oportunist të PKSH-së, që pranonte vijën politike të komunistëve jugosllavë ndaj Kosovës.


NJË KONFERENCË E SULMUAR NGA TË GJITHA ANËT

Aspirata e shqiptarëve, bazuar në Rezolutat e Konferencës së Bujanit ishte në kundërshtim me vendimet e mbledhjes së dytë të KANÇJ-së, prandaj edhe u sulmua dhe u hodh poshtë nga PKJ-ja. Çështja e Kosovës, në Konferencë, u trajtua si problem i lidhur ngushtë me strukturën e popullit, duke përfshirë edhe vetëvendosjen, pra bashkimin me Shqipërinë, duke legjitimuar politikisht dhe juridikisht vullnetin e popullit të Kosovës. Për mbajtjen e Konferencës së Bujanit dhe vendimet e saj, KQ i PKJ-së u njoftua nga sekretari i Komitetit Krahinor Pavle Joviçeviç, nëpërmjet letrës së 31 janarit të 1944. Dhe sulmi i PKJ-së nuk vonoi.


Ejup RAMADANI

PKJ-ja goditi vendimet e Konferencës së Bujanit

Përmes një letre të 28 marsit, nënshkruar nga Millovan Gjillas, Konferenca u dënua për dy çështje themelore. U dënua e drejta e popullit shqiptar për vetëvendosje deri në shkëputje dhe barazia e krahinës së Kosovës me viset tjera të Jugosllavisë. Gjithashtu kërkohej nga udhëheqësit jugosllavë që të kuptoheshin vendimet e KANÇJ-së, që, sipas tyre, siguronin të drejta të barabarta të të gjithë popujve dhe bënin të mundur realizimin e të drejtës për vetëvendosje. Në letër, mes tjerash, thuhet: "Sot nuk duhet të flitet për bashkimin me Shqipërinë, sepse në këto momente nuk është fjala për caktimin e kufijve në mes të Jugosllavisë dhe Shqipërisë, pasiqë të dy shtetet ishin të pushtuara nga Gjermania".
Kjo është kontradiktore, sepse ishte mbledhja e dytë e KANÇJ-së që vuri në rend dite problemin e kufijve ndërmjet shteteve. Aty jo vetëm që u vendos krijimi i Federatës Jugosllave me kufijtë e paraluftës, por u miratua vendimi për ndryshimin e kufijve veriorë dhe veriperëndimorë të Jugosllavisë.


Hidhet poshtë vendimi për barabarësi

Gjithashtu ishte kërkuar mosndryshimi i emrit të krahinës së "Kosovës dhe Metohisë", sepse me Rrafshin e Dukagjinit përfshiheshin edhe vise të tjera jashtë Kosovës, si dhe u dënua krijimi i Këshillit Krahinor Nacional - Çlirimtar, pasiqë përmbante elementet e një organi të pushtetit dhe ishte i barabartë me këshillat e tjerë të viseve të tjera të Jugosllavisë. Pra, edhe pse Këshilli u formua me direktivat e mbledhjes së parë të KANÇJ-së, sërish u sulmua me pretekstin se "Kosova nuk përbënte një rajon kompakt nga pikëpamja kombëtare". Realiteti ishte ndryshe: PKJ-ja dhe udhëheqësit e saj kërkonin të hidhnin poshtë vendimin për një pozitë të barabartë të Kosovës me viset tjera të Jugosllavisë. Pavarësisht nga deklaratat, udhëheqësia e PKJ-së nuk e kishte publikuar qëndrimin e saj për të ardhmen e viseve shqiptare në Jugosllavi. Këtë ua pohonte edhe udhëheqësi i atëhershëm jugosllav J.B. Tito (prill 1944) misionarëve ushtarakë anglezë, të cilët kishin ndërhyrë me kërkesën e Ministrisë së Jashtme angleze për të sqaruar qëndrimin e KANÇJ-së për këtë problem. Titoja theksonte se populli i Kosovës kishte kërkuar autonomi lokale, por KANÇJ-ja nuk kishte marrë vendim për këtë çështje.
Në bisedimet e zhvilluara në verën e vitit 1944, në Vis, ndërmjet Titos, Kardelit dhe Bakariqit, kishin pranuar që Kosova të bëhej një provincë autonome. Shtabi kryesor i UNÇJ mendonte se Kosova nuk do të bënte pjesë në kuadrin e Serbisë Federale, por do të paraqiste një tërësi të veçantë, e pacaktuar, ndoshta si Vojvodina.
Me këto vendime PKJ-ja shkeli aspiratat e shqiptarëve për zgjidhje të çështjes kombëtare, mohoi pozitën e barabartë të Kosovës, të përcaktuar gjatë viteve të luftës, kurse kjo ishte hyrje në aneksimin e Kosovës në kuadër të Serbisë.


Qëndrimet e PKSH-së ndaj Kosovës

Sipas PKJ-së edhe PKSH-ja duhej që të pranonte zgjidhjet e përcaktuara të saj. PKJ-ja, marrëdhëniet e krijuara mes dy partive komuniste dhe parrullat për vëllazërim, bashkim dhe internacionalizëm i shfrytëzoi për qëllime grabitqare të tokave shqiptare. PKSH-ja kishte lëshuar pe përpara presioneve jugosllave, kështu që, shqiptarët, nuk mundën të shfrytëzonin rrethanat e krijuara për Kosovën e cila do të duhej të vetëvendoste dhe të bashkohej me Shqipërinë. Para së gjithash këtu ndikoi mungesa e një programi politik të PKSH-së për zgjidhjen e çështjes kombëtare dhe orientimi drejt aleancës me Jugosllavinë. Kësaj duhet shtuar edhe ndikimin dhe orientimin ideologjik të PKJ-së që nxorri në plan të parë idenë e Konfederatës Ballkanike, që synonte nënshtrimin e Shqipërisë nga Jugosllavia. Pranimi i këtyre vendimeve godiste rëndë çështjen kombëtare, pasojat e së cilës ndjehen edhe sot. Qëndrimet e palës jugosllave u miratuan në organet më të larta të PKSH-së, që e kishin parë të udhës të mos informonin popullin për këto vendime. Udhëheqësia e PKSH-së iu përmbajt udhëzimeve të PKJ-së për zgjidhjen e çështjes së Kosovës pas luftës, që ishin imponuar nëpërmjet emisarëve jugosllavë si D. Mugosha, M. Popoviç, S.V. Tempo, V. Stoiniç etj.

PKSH-ja braktisi Kosovën

Kah fundi i Luftës së Dytë Botërore PKSH (Partia Komuniste Shqiptare) fliste për rendin dhe të ardhmen e re që ndërtohej mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, ndërkohë që kishte braktisur zgjidhjen e çështjes kombëtare. Përgjithmonë. PKSH-ja kishte heshtur ndaj vendimeve të mbledhjes së dytë të KANÇJ-së, ndaj mohimit të të drejtës së popullit shqiptar në Jugosllavi për vetëvendosje, për copëtimin e trojeve shqiptare, për trajtimin e shqiptarëve si pakicë kombëtare, edhe atëherë kur Kosova ra nën sundimin e egër serb, nën një pushtet administrativ ushtarak, i shoqëruar me gjenocid të egër antishqiptar.


Enver Hoxha: "Çështja e Kosovës nuk është kritike...Me jugosllavët jemi miq të mirë"

Në tetor të vitit 1945 udhëheqësi komunist shqiptar Enver Hoxha theksonte se "çështja e Kosovës nuk është kritike, por meqë e ngre opozita ka rëndësi". Në dhjetor 1946 ai shtonte:"Disa anëtarë partie duan të filozofojnë se mos thotë populli se ç'bëtë me Kosovën. Jugosllavia është më e avancuar se ne, interesi ynë është që ajo të jetë e fortë. A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën, kjo nuk është progresive. Pra në këtë situatë duhet të bëjmë ç'është e mundur që kosovarët të vëllazërohen në Jugosllavi, kur ne të kemi arritur në socializëm atëherë në një situatë të tillë Kosova do të bashkohet me RS të Shqipërisë. Populli i Kosovës ka të gjitha liritë, ai ka marrë tokën, kanë shkolla, me jugosllavët jemi miq të mirë, prandaj forca e argumenteve është e madhe".
Këto qëndrime tregojnë heshtjen e plotë që u mbajt në atë kohë ndaj problemit të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare.
Sadoqë Konferenca e Bujanit u kufizua përsa i përket çështjes kombëtare, kjo nuk ia mohon rëndësinë dhe karakterin kombëtar. Konferenca e Bujanit ka qenë një reaksion ndaj veprimtarisë politike të Ballit Kombëtar dhe Lidhjes së Dytë të Prizrenit, që kishin qëndrim për bashkimin e trojeve shqiptare brenda një shteti shqiptar. Udhëheqësit politikë kosovarë nuk mund të dilnin para popullit me një platformë që nuk premtonte bashkim me Shqipërinë. Së këndejmi: e drejta e vetëvendosjes, e paraparë në konventa ndërkombëtare, është e drejtë historike e çdo populli, prandaj edhe vetëvendosja e përfshirë në Konferencën e Bujanit është e drejtë historike e shqiptarëve.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. E pregatiti në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Radovani
Ubi spiritus Domini ibi libertasKu ashtë shpirti i Zotit, aty ashtë liria. At Gjergj Fishta
“Ai që e di dhe thotë një gënjeshtër asht nji kriminel”Bertold Brehtin.
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 13 Dhjetor 2017, 13:24
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari