Gjithcka mbi naten e erret 45vjecare komuniste shqiptare
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 7 postime · Faqe 1 prej 1
NEVZAT HAZNEDARI PUSHKATON KRYEGJENERALET SHQIPTARE
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4138
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Raporti: Fjalët e fundit të gjeneralëve

PROCESVERBAL

Në Tiranë, më 5/XI/1975
Në bazë të urdhrit të ministrit të Punëve të Brendshme Nr.850 datë 5/XI/1975, ora 16:00, në vendin e caktuar në prani të prokurorit Murat Kanani dhe të mjekut Nevzat Vigani, nga unë Nevzat Haznedari, i ngarkuari i Drejtorisë së Hetuesisë, u ekzekutua vendimi me vdekje për armiqtë komplotistë Beqir Ali Balluku, Petrit Taulla Dume dhe Hito Shaqo Çako.
Para ekzekutimit secili nga këta armiq u njoftua nga prokurori se Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi kërkesën e tyre për faljen e jetës. Mbas kësaj ata thanë:

1. Beqir Ali Balluku – Nuk foli fare
2. Petrit Taulla Dume – “Të rrojë populli, të rrojë partia”
3. Hito Shaqo Çako – “Mirë”

Në përfundim u krye ekzekutimi i tyre nga unë Nevzat Haznedari dhe pasi u kontrolluan nga mjeku Nevzat Vigani, u konfirmua vdekja e tyre

Nevzat Haznedari Murat Kanani Nevzat Vigani
Tiranë, më 5. XI. 1975

Historite me kete xhelat skane te mbaruar. Megjithmend : Kush eshte ky Nevzat Haznedari qe ka shkrepur me doren e tij mbi tre gjeneralet?, qe ka mbytur me duarte e tij Teme Sejkon, qe ka....bere kaq e kaq zullume? A rron? A e ka vrare ndopak ndergjegja per cka bere apo ka vdekur si qen?
Me dridhen duarte tani qe shkruaj dhe sdi a ka folur dikush me te per bemat e tij.
Ju lutem kush di me teper per kete monster te shkruaj ne kete teme.

Tiranë, 1965. Enver Hoxha, udhëheqës i Partisë së bashku me kuadro të larta të Shtetit dhe të Ushtrisë.

Imazh
Nga e majta: SADIK BEKTESHI, SPIRO MOJSIU, KADRI HAZBIU, BEQIR BALLUKU, ENVER HOXHA, MEHMET SHEHU, PETRIT DUME, MIHALLAQ ZIÇISHTI, ARANIT ÇELA.


Artan LAME

GJENERAL-MAJOR SADIK BEKTESHI, partizan, anëtar themelues i Komitetit Central të Partisë Komuniste, Drejtor Politik i Ushtrisë Popullore. Në fund, armik i Partisë dhe i popullit. Në kohën e luftës ishte burgosur dhe internuar në Itali si i burgosur politik, fillimisht në Napoli dhe më pas në Ventotene. Vërtet i shpëtoi me një vit burgut fashist, por nuk ia hodhi dot burgut të Komandantit, ku qëndroi 20 vjet, për të vdekur të paktën i lirë në demokraci pak vite më parë.

GJENERAL-MAJOR SPIRO MOJSIU (1900-1980). Ushtarak karriere që në kohë të Zogut, pastaj të Italisë, e pastaj të Partisë. Gjeneral, deputet, shef i shtatmadhorisë. Megjithëse i goditur nga pak, kohë pas kohe, arriti t‘ia hidhte Enver Hoxhës duke vdekur nga pleqëria vetëm një vit para zbulimit të komplotit të poliagjentit Mehmet Shehu, në të cilin Komandanti do t‘i kishte gjetur patjetër ndonjë rol sa për ta vënë pas murit.

KADRI HAZBIU (1922-1983). Partizan, Komandant Brigade, Gjeneral, Ministër i Brendshëm mbi 20 vjet, deputet, Ministër i Mbrojtjes dhe në fund armik i betuar i Partisë dhe i Popullit. U pushkatua pas njëmbëdhjetë muaj hetuesie si ajo që dinte të të bënte Komandanti.

GJENERAL-KOLONEL BEQIR BALLUKU (1917-1974). Partizan, Komandant Brigade, Komandant Divizioni, Gjeneral me tre yje (i vetmi që arriti këtë gradë), Kryetar i Shtatmadhorisë, deputet, 22 vjet Ministër i Mbrojtjes, Zëvendëskryeministër dhe, në fund, armik i betuar i Partisë dhe i popullit. Pushkatuar.

MEHMET SHEHU (1913-1981) Vullnetar në Luftën e Spanjës, partizan, Komandant Brigade, Gjeneral, Hero i Popullit, deputet, Ministër i mbrojtjes dhe 27 vjet rresht Kryeministër (kryeministri më kohëgjatë i Shqipërisë). Në fund, poliagjent dhe armik i betuar i Partisë dhe i popullit. U vra a e vranë, nuk u mor vesh asnjëherë. Mua më ka mbetur në mendje versioni i të birit Bashkim Shehu, i cili thotë "Mehmet Shehun e vetëvranë".

GJENERAL-LEJTNANT PETRIT DUME. Partizan, Komandant brigade, Komandant divizioni, Hero i Popullit, deputet, me dy akademi sovjetike, shef i shtatmadhorisë mbi 10 vjet, në fund armik i betuar i Partisë dhe i Popullit, plus akuza "tradhëti e lartë kundër atdheut". Pushkatuar me 1975.

GJENERAL-MAJOR MIHALLAQ ZIÇISHTI.
Partizan, Gjeneral, Zëvendësministër i Brendshëm. Në vitin 1982, vëllai i tij Lambi Ziçishti, Ministër i Shëndetësisë pushkatohet dhe natyrisht që ai përfundon në burg si vëlla i armikut.

Njëri pas tjetrit, të gjithë këta i dënoi ARANIT ÇELA, i cili në cilësinë e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, drejtoi gjyqet e tyre. E ku ta dinin ata të shkretë se pikërisht ai burri me veshje civile, që rri i ndrojtur në fund të rreshtit, do t‘i çojë të gjithë në plumb.
gazeta Panorama e dates 02/01/2009
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”: Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko - Jerzi Popielushko

Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin! Fritz Kolë Radovani
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4138
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Cili ishte gjenerali i zi, Nevzat Haznedari?

Imazh
EKZEKUTUESI I GJENERALEVE NEVZAT HAZNEDARI

Nevzat Haznedarin e njihja si fytyrë qysh më 1947-n, kur ai, si prokuror ushtarak, ishte bërë i llahtarshëm në gjyqet që zhvilloheshin në kinema “17 Nëntori” të Tiranës, ndaj të ashtuquajturve “grupe armiqësore”. Më ishin ngulur në kujtesë koka e tij e madhe si e sllavëve të vjetër; trupi i tij i fortë, por pak i kërrusur; sytë e tij ngjyrë çeliku, që çlironin edhe betonarmenë dhe duart e tij, si putrat e ariut siberian.

Më ishin ngulur në kujtesë koka e tij e madhe si e sllavëve të vjetër; trupi i tij i fortë, por pak i kërrusur; sytë e tij ngjyrë çeliku, që çlironin edhe betonarmenë dhe duart e tij, si putrat e ariut siberian. Më kishin thënë se rridhte nga një familje bejlerësh të rrënuar të Leskovikut. Babai i tij, gjatë viteve 30, bridhte kafeneve të Korçës, në gjendje të mjerueshme, derisa vdiq në rrugë dhe e varrosi bashkia. Nevzati në atë kohë vazhdonte Normalen e Elbasanit me bursë shteti. Në Normale, shokët e thërrisnin me nofkën “egërsirë”. Literatura e tij e preferuar ishin romanet me tortura. Më 1938, pasi mbaron Normalen e Elbasanit, emërohet mësues në katundin Postenan të Leskovikut. Ish-nxënësit e tij tregojnë se atyre u shpëtonte…kur mësuesi i kërcënonte edhe për gabimet më të vogla. Pasi s bëri dot karrierë në Partinë Fashiste, gjatë periudhës 1939-42, hoqi këmishën e zezë dhe veshi këmishën e kuqe, duke u bërë një nga krerët e lëvizjes komuniste në nënprefekturën e Leskovikut, së bashku me Kiço Kasapin dhe Ali Glinën. Në pranverën e 1943-shit, ai pushkaton në grykën e Postenanit, Gaqo Tashkon së bashku me të birin, Petraqin dhe Petro Tashkon, për të vetmin faj se ishin distancuar nga Lëvizja Nacionalçlirimtare, kur kishin kuptuar se atë e drejtonte dora e komunistëve.
Në fund të 1944-ës, ekzekutohet Muharrem Rusi, ish-kryetar i bashkisë së Leskovikut, njeri i nderuar dhe i respektuar në të gjithë krahinën. Fill pas vendosjes së diktaturës komuniste, Nevzatit iu caktua detyra e prokurorit ushtarak të Qarkut të Korçës, ku bëhet i famshëm për bëmat dhe gjëmat e tij. Merr pjesë në ekzekutimin e grupit të inxhinierëve të Maliqit në nëntor të vitit 1946, duke u hedhur, me dorën e tij, litarin në fyt Abdyl Sharrës dhe Kujtim Beqirit. Zoti Ali Selenica, jurist, vdekur në burgun e Burrelit, më 1963, gjatë vuajtjes së dënimit me të, më tregonte se në fillim të 1945-s kur ai punonte si avokat në qytetin e Korçës, gjyqi ushtarak komunist, me prokuror Nevzat Haznedarin, jepte çdo ditë “në emër të popullit”, 10-15 dënime me vdekje. Shumica e të dënuarve ishin intelektualë dhe fshatarë analfabetë, që kishin shkuar me forcat e Ballit...
07 korrik 2008
Posted by AGJENCIONI FLOART-PRESS
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”: Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko - Jerzi Popielushko

Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin! Fritz Kolë Radovani
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4138
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Pasuria që iu sekuestrua Beqir Ballukut dhe Hito Çakos


E gjithë pasuria e katër drejtuesve të lartë të ushtrisë shqiptare të shpallur "armiq të popullit" do "pësonte" të njëjtin fat si të zotët e tyre. Me një vendim të hetuesisë, ish-ministrit të Mbrojtjes Beqir Ballukut iu sekuestrua e gjithë pasuria e tij personale, po ashtu të njëjtin fat do kishin edhe Hito Çako, Petrit Dume dhe Rahman Përllaku.

Por ndryshe nga sa mund të mendohet sot, e gjithë pasuria e ministrit të Mbrojtjes nuk ishin ndonjë llogari e madhe bankare, pasi ai nuk e zotëronte atë, por ishin sendet personale si dhe mobiliet e shtëpisë. Gazeta "Tirana Observer" boton sot vendimet dhe procesverbalet e hetuesve për sekuestrimin e pasurisë së Beqir Ballukut dhe Hito Çakos. Në procesverbalin e tyre hetuesit janë munduar që të regjistrojnë çdo send që u mor në shtëpinë e të akuzuarve duke filluar që nga krevati dopio e te mobiliet e dhomës së gjumit e deri te këpucët apo peshqirët.

VENDIM
Mbi vënien e sekuestros

Në Tiranë më 22.XII.1974, ne hetuesit e Ministrisë Punëve të Brendshme, Nevzat Haznedari, Kristofor Martiri, mbasi studiuam materialet në ngarkim të pandehurit,
KONSTATUAM
I pandehuri Beqir Ali Balluku akuzohet për krimet e parashikuara nga nenit 64, 72 e 73/II në kombinim me nenin 76 të Kodit Penal. Me qenë se krimet për të cilat akuzohet i pandehuri parashikojnë si masë edhe sekuestrimin e pasurisë që disponon ai, në bazë të nenit 127 të Kodit Procedurës Penale
VENDOSËM
Të vëmë sekuestron mbi pasurinë që disponon i pandehuri e përshkruar në proces-verbalin "Mbi inventarizimin e pasurisë" datë 16.XII.1974 si dhe mbi çdo pasuri tjetër materiale monetare që ai disponon.

Hetuesit
Nevzat Haznedari Kristofor Martiri

Procesverbal
Në Tiranë, më datën 16.12.1974

Unë Nevzat Haznedari dhe Irfan Shaqiri, gjatë kontrollit personal që ju bë të ndaluarit Beqir Balluku, ju gjetën dhe ju ndaluan këto sende...

1. Një sahat dore të markës "Omega" me rrip metalik...
2. një çakmak i bardh me xham të kuq në njërën anë, i markës kineze...
3. një palë gjysluke me skelet kafe me xham të rregullt...
4. një shall qafe i zi me vija kafe në të dy anët...
5. një borsalinë koke, bojë gri...

Procesverbali, mbasi u lexua dhe u gjenden në rregull sendet që fillojnë nga numri një deri numri pesë...

I ndaluari Hetuesi
Beqir Balluku Nevzat Haznedari


PROCESVERBAL

Mbi kontrollin e banesës të Beqir Ballukut në Selenicë më 16.XII.1974

Unë shefi i hetuesisë Degës së Brendshme Vlorë, Petrit Male, në prani të dëshmitarëve, anëtarë të këshillit popullor të Selenicës, Diana Goxhaj dhe Muhamet Hoxha, bëra kontrollin e banesës së Beqir Ballukut...

Gjatë kontrollit asistoj edhe e shoqja e Beqirit, Taibe Balluku.

Gjatë kontrollit u gjetën këto sende.

1. një televizor marka "Fanola"
2. një radio marka "Ballkan", bullgare
3. një komodinë me dy sirtarë mbajtëse radio e televizori
4. një bufe me rimeso arre
5. një krevat dopio.
6. tre kolltukë tekë dhe një kolltuk trevendësh, veshur me kadife ngjyrë jeshile
7. një dollap i madh rrobash me tre kanata rimeso arre.
8. një komo me katër sirtarë me rimeso arre
9. dy komodina të vogla me rimeso arre
10. një tavolinë e rrumbullakët pritje me rimeso arre.


Procesverbal

Në qytetin e Tiranës, sot më datën 17.12.1974, unë Skënder Myftari, hetues i M.P.Brendshme, në prani të Belul Zotos, dëshmitarit të pranishëm, Gëzim Osmanit dhe Lule Ballukut, morëm në dorëzim.
10 (dhjetë) copë albume, nga të cilat 4 copë me kapak të kuq, 1 copë me kapak të zezë kadife, 3 copç albume me kapakë kartoni ngjyrë blu. Të gjithë albumet, copë 9 (nëntë), kanë gjithsej 231 (dyqind e tridhjetë e një) copë fletë, duke patur brenda edhe fotografi të ndryshme të dalë Beqir Balluku e të tjerë. Nga numri 10 që u shënua një nuk ishte album, por librezë me kapak dhe që shënohet sipër kapakut "Ministria e Mbrojtjes Popullore zyra e II-të dhe titulli "Lufta e Dytë Botërore", Tiranë më 1968. Brenda kapakut ka përmbledhjen ku shkruhen: 1) probleme të përgjithshme, 2) arti operativ, 3)lufta partizane dhe gjithsej ka 247 fletë.
Përveç fotografive që janë vendosur në albume u morën edhe 664 copë fotografi të ndryshme.
9 (nëntë) copë albumet dhe fotografit e tjera u morën në dorëzim nga ana jonë, duke qenë të pranishëm personat e lartpërmendur.
Procesverbali mbasi u lexua dhe nuk pati ndonjë pretendim nga të pranishmit.

E zonja e shtëpisë Hetuesi

Lule Balluku Skënder Myftari
Hito Çako

VENDIM
Mbi vënien e sekuestros

Në Tiranë më 16.XII.1974, ne hetuesit e Ministrisë Punëve të Brendshme Elham Gjika, Pelivan Luçi, mbasi studiuam materialet në ngarkim të pandehurit,
KONSTATUAM
I pandehuri Hito Shaqo Çako akuzohet për krimet e parashikuara nga nenit 64, 72 e 73/II në kombinim me nenin 76 të Kodit Penal. Me qenë se krimet për të cilat akuzohet i pandehuri parashikojnë si masë edhe sekuestrimin e pasurisë që disponon ai, në bazë të nenit 127 të Kodit Procedurës Penale
VENDOSËM
Të vëmë sekuestron mbi pasurin që disponon i pandehuri e përshkruar në proces-verbalin "Mbi inventarizimin e pasurisë" datë 16.XII.1974 si dhe mbi çdo pasuri tjetër materiale monetare që ai disponon.
Hetuesit
Elham Gjika Pelivan Luçi

Në Tiranë, më 16.XII.1974, ne hetuesit e Ministrisë Punëve të Brendshme
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”: Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko - Jerzi Popielushko

Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin! Fritz Kolë Radovani
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4138
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Selenica, i diplomuari në Touluzë që punoi si karrocier

Dashnor Kaloçi

Referati që mbajti babai im Fetih Selenica me intelektualët korçarë në vjeshtën e vitit 1944 në kinemanë "Majestik" të qytetit të Korçës, të cilin ai e mbylli me sentëncën "S'kam ç'e dua trimërinë, kur s'e kam për Shqipërinë", u bë dhe shkaku kryesor që komunistët e arrestuan atë menjëherë sapo erdhën në pushtet dhe e dënuan me 15-vjet burg politik".

Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për "Gazetën", është 63-vjeçarja Nimfa Selenica, e cila rrëfen gjithë historinë e dhimbëshme të babait të saj Fetih Selenicës që ishte diplomuar në fakultetin e Drejtësisë në Toluluzë të Francës, i cili u arrestua nga komunistët që pas ardhjes së tyre në pushtet. Po kush ishte Fetih Selenica, cila ishte e kaluara e tij dhe çfarë tha ai për komunizmin në referatin që mbajti me intelektualët korçarë në vjeshtën e vitit 1944 në kinemanë "Majestik" të Korçës? Si u dënua ai me 15-vjet burg politik dhe si mundi që ta nxirrte nga burgu pamfletin politik të titulluar "Më i ftohtë se akulli". Çfarë shkruhej në atë pamflet dhe përse komunistët pas daljes nga burgu e lanë Fetiun të punonte si karrocier dhe në kanalet e Myzeqesë ku ai dhe vdiq në moshën pesëdhjetë e pesë vjeçare në vitin 1961?

Diplomohet në Touluzë të Francës

Fetih Selenica u lind më 27 prill të vitit 1906 në fshatin Selenicë të Pishës që asokohe përfshihej në nënprefekturën e Kolonjës. Familja e tij ishte mjaft e varfër dhe i jati Novruz Selenica, ka qenë shumë i njohur si pjestar i çetave të komitëve që asokohe luftonin kundra pushtuesve osmanë ashtu dhe më pas me çetën e Themistokli Gërmenjit. Pasi familja e tij u shpërngul për në qytetin e Korçës, Fetiu u regjistrua dhe vazhdoi Liceun francez të atij qyteti, të cilin e mbaroi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1927. Lidhur me këtë periudhë, e bija e tij Nimfa, dëshmon: "Pas mbarimit të Liceut, babai u emërua si mësues në disa fshatra të Korçës ku ai punoi deri në vitin 1932. Në atë vit babait iu aprovua kërkesa për të ndjekur studimet e larta jashtë dhe Ministria e Arsimit e asj kohe i akordoi një bursë shtetërore për Jurisprudencë në Universitetin e Touluzës në Francë. Gjatë atyre tre vjetëve që babai vazhdoi studimet pranë atij fakulteti, ai kishte miqësi të ngushtë me Manol Konomin dhe studentë të tjerë shqiptarë që studjonin asokohe në Francë, si Epimanonda Bulka, Nedim Kokona, Rexhep Bako, Mehmet Babamusta, Namik Jusufati, Xhemal Kadiu etj. Pas diplomimit në Universitetin e Touluzës në vitin 1934, babai u kthye në Shqipëri dhe u emërua si gjyqtar në disa rrethe të vëndit si në Vlorë e Kavajë dhe më pas në qytetin e Korçës ku ai shërbeu si Kryetar i Gjykatës së Faktit. Korça ishte qyteti i parafundit ku babai e mbylli karrierën e tij të shkurtrë si jurist, sepse në vitin 1943 kur italianët njohën Shqipërinë Etnike, ai punoi për afro njjë vit si gjyqtar në qytetin e Tetovës. Nga viti 1934 e deri në vitin 1944 që babai shërbeu si antar dhe Kryetar Gjykate në këto qytete, ai njihej dhe konsiderohej nga të gjithë si jurist i përgatitur dhe njeri i pakompromentueshëm", dëshmon 63-vjeçarja Nimfa Selenica për babanë e saj Fetihun i cili pas diplomimit në Francë për Jurispriudencë, shërbeu si gjyqtar në disa rrethe të vëndit.

Denoncon komunizmin në "Majestik"

Fetih Selenica ishte një njeri me bindje nacionaliste dhe një antifashist i vendosur. Nisur nga ky fakt, gjatë periudhës së pushtimit italian të vëndit, ai u përndoq prej tyre dhe mezi shpëtoi pa u burgosur kur shërbente në Gjykatën e Paqtimit në Tiranë. Po kështu ndonëse Fetiu nuk u përzie në asnjë forcë politike të asaj kohe, ai ishte dhe një antikomunist i vendosur. Lidhur me këtë, e bija e tij Nimfa dëshmon: "Idetë dhe bindjet e tija antikomuniste babai i shprehu hapur në një takim që u mbajt me intelektualët korçarë në fundin e vitit 1944 në kinemanë "Majestik" të qytetit të Korçës. Në atë takim ku merrnin pjesë pothuaj e gjithë ajka e intelektualëve korçarë, babai mbajti një referat të gjatë për rrezikun komunist që i kanosej vëndit, duke e shpjeguar filozofinë e asaj doktrine që nga krijimi i saj dhe tmerret që kishte shkaktuar ajo sidomos në Bashkimin Sovjetik. Në fund të fjalës së tij ai tha: "S'kam ç'e dua trimërinë, kur s'e kam për Shqipërinë". Aludimi i kësaj sentence që përdori babai në fund të referatit të tij, ishte më se i qartë për të gjithë të pranishmit që ishin në atë sallë. Ai donte tu tregonte atyre se lufta që po bënin komunistët ishte e tradhëtuar dhe se udhëheqja e Partisë Komuniste ishte e gjitha nën urdhërat e komunistëve jugosllavë që luftonin për aneksimin e Kosovës. Nga disa miq të ngushtë të babait, kam mësuar se referati që ai mbajti në kinemanë "Majestik" u prit mjaft mirë nga të gjithë të pranishmit të cilët e duartrokitën gjatë atë", dëshmon 63-vjeçarja Nimfa Selenica për babanë e saj, Fetiun i cili në fundin e vitit 1944 e denoncoi ashpër rrezikun komunist që po i kanosej Shqipërisë.

Arrestimi dhe dënimi 15 vjet burg

Ajo fjalë që mbajti juristi Fetih Selenica atë pasdite vjeshte në takimin me intelektualët korçarë në kinemanë "Majestik", do t'i kushtonte atij shumë shtrenjtë. Atë gjë komunistët nuk ia harruan dhe sapo erdhën në pushtet e arrestuan menjëherë Fetiun, duke ia atribuar atë si akuzën kryesore. Pas disa muajsh hetuesie, gjyqi kundër tij u zhvillua më 17 nëntor të vitit 1945, po në kinemanë "Majestik" të qytetit të Korçës, nga Këshilli Gjyqsor Ushtarak i përbërë nga Kryetari K. Prifti, me antërë P. Nadedhi e M. Muço dhe Prokuror Nevzat Haznedarin. Midis të tjerave në atë proces gjyqsor, ndërmjet Fetih Selenicës dhe prokurorit Nevzat Haznedari, u zhvillua ku debat: Haznedari: "Përse shkove në Tetovë?" Selenica: "Se atje nuk do të më ndiqnin italianët". Haznedari: "Cilën quani Shqipëri Etnike?" Selenica: "Atë që zgjeruan italianët". Haznedari: "Kush e ka ndjekur këtë politikë?" Selenica: "Balli Kombëtar". Haznedari: "Pse ke folur për Shqipëri të Madhe?" Selenica: "Jo, as e kam propaganduar?" Haznedari: "Kur ke hyrë në Ballin Kombëtar?" Selenica: "Nuk kam ndruar parti politike. Faslli Frashërin dhe Dhimitër Fallon i kam njohur si miq dhe nuk kam pasur lidhje politike me ta". Haznedari: "E ke luftuar Okupatorin?" Selenica: "Po". Haznedari: "Të mbash konferenca në sallën "Majestikut" me bajonetat gjermane dhe të pretendosh kundra okupatorit, është luftë e okupatorit? Ke mbajtur konferencë në "Majestik"?" Selenica: "Po, me temën "S'kam ç'e dua trimërinë, kur s'e kam për Shqipërinë". Haznedari: "Kjo konferencë ishte në interes të popullit?" Selenica: "Po". Si përfundim Fetih Selenica u dënua me 15 vjet burg politik nga ajo gjykatë ushtarake nën akuzën e bashkëpunimit me organizatën e Ballit Kombëtar. Lidhur me dënimin e Fetiut, i bija Nimfa dëshmon: "Pas arrestimit të babait në Korçë, na erdhën e na sekuestruan të gjitha plaçkat e shtëpisë tonë që e kishim në dalje të qytetit atje ku fillon rruga për në Boboshticë. Po kështu atë ditë na sekuestruan dhe të gjitha librat e biblotekës shumë ta pasur që kishte babai, duke marrë dhe ato që kishim shpërndarë nëpër komshijtë tanë. Pas arrestimit të babait, u arrestua dhe u dënua me tetë vjet burg dhe i vëllai i tij Tahir Selenica. Në atë kohë pas arrestimit të tyre ne mbetëm në gjëndje të mjeruar ekonomike, pasi kishim dhe dy prindërit e babait në shtëpi, të cilët ishin në moshë të thyer. Për të shpëtuar nga uria, (sipas porosisë së babait) nëna na mori ne fëmijët e vegjël dhe erdhëm në Tiranë tek daja jonë Kujtim Ismailati. Pak kohë pas largimit tonë, (në vitin 1947) dy prindërit e babait vdiqën në mjerim të thellë njeri pas tjetrit, pasi nuk kishin me se të ushqeheshin", kujton Nimfa Selenica vuajtjet e familjes së saj, pas arrestimit të babait në vitin 1945

Internimi në Myzeqe

Fetih Selenica që ishte diplomuar për Jurisprudencë në Touluzë të Francës, e vuajti dënimin në kampet e tmershme të Burrelit, Maliqit, Vloçishtit, Bedenit etj. Lidhur me këtë periudhë, e bija Nimfa dëshmon: Gjatë atyre njëmbëdhjet vjetëve, nëna jonë e ndoqi nga pas babanë duke i çuar ndonjë trastë me ushqime në të gjitha kampet e burgjet që e dërguan atë. Babai na tregonte se tmerrin më të madh e kishte kaluar në kampin e Vloçishtit ku punonin në ujë në mes ushunjzave. Gjatë gjithë periudhës së dënimit, babai u muar me shkrime dhe ai mundi që të nxirrte nga burgu katër fletore të trasha. Aty ai kishte mbajtur shënime të ndryshme dhe kryesisht kishte mbledhur folklor e kishte shkruar mbi jetën e zakonet e krahinave të ndryshme të Shqipërisë, të cilat i kishte mësuar nga goja e të dënuarave që kishte pasur në ato kampe dhe burgje. Por ajo që vlen për t'u përmëndeur, është pamfleti politik i titulluar "Më i ftohtë se akulli" të cilin babai e ka shkruar në vitin 1947. Atë pamflet ai e nxorri nga burgu duke e futur në hastarin e xhaketës dhe gjatë viteve të regjimit komunist, atë e ruajti daja jonë Kujtim Ismailati. Babai u lirua në vitin 1955 dhe pas daljes nga burgu atë e futën në punë si karrocier në Uzinën "Partizani" ku ai punoi për dy vjet. Pas dy vjetësh, në vitin 1957 ne na internuan në fermën "Çlirim", të Fierit ku babai punoi si punëtor në bujqësi deri në 24 maj të vitit 1961, kur vdiq nga një atak në zëmër", e përfundon rrëfimin e saj tragjik 63-vjeçarja Nimfa Selenica, për babanë e saj Fetiun, të diplomuar për Drejtësi në Francë, i cili vuajti njëmbëdhjet vjet në burgjet e komunizmit, pasi e kishte denoncuar atë doktrinë që në vjeshtën e vitit 1944, në kinemanë "Majestik" të Korçës.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”: Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko - Jerzi Popielushko

Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin! Fritz Kolë Radovani
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4138
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Hito Çako "Çobani"
Imazh

Hito Çako, fëmija i gjashtë i Shaqo Çakos, u lind në Progonat,Kurveleshë, më 3 mars 1923, fshat me histori të lavdishme në Progonatin e dymbëdhjetë Hito Çako "Çobani" - Tepelena ne Shekujbilbilenjve. Arsimin fillor në vitet 1931-1933 e mori në shkollën e fshatit, ndërsa në vitet 1933-1936 vazhdoi mësimet në konviktin "Çamëria" në Sarandë. Në vitet 1936-1937, ende i mitur, punon si shegert në Delvinë. Hito Çako mbahet mend se në 25-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, u doli para motrave të Ahmet Zogut që vizitonin Shqipërinë e Jugut dhe u kërkoi shkollim të lartë, por që kjo dëshirë nuk i realizohet.Në vitet 1937-1939 punoi si kamerier në Shtëpinë e Oficerëve të Mbretërisë, ndërsa 7 prilli 1939
punon si telegrafist në Postë n e Vlorës.
1941-1942 hyn në Partinë Komuniste të Shqipërisë. Pasi punon në vitet 1941-1942 po telegrafist në postën e Librazhdit, rikthehet përsëri në Vlorë. Më pas me krijimin e njësiteve guerile bëhet pjesëtar i tyre dhe më pas komandant. Pasi krijohen njësitet partizane emërohet zëvendës komisar i batalionit Vlorë-Gjirokastër.
28 maj 1944 emërohet komisar i Brigadës V Sulmuese
Shtator 1944 emërohet komandant i shtabit të dy brigadave të saj të III-të dhe të V-të.
11 mars 1944 merr detyrën e zëvendës komandantit të Korparmatës së II-të Sulmuese dhe në të gjitha këto detyra shquhet për trimëri dhe inteligjencë të spikatur.
9 mars 1944 merr gradën nën kolonel. "Heroi i Popullit" Hito Çako gjate LANÇ mbante pseudonimin " Çobani " .
15 gusht 1945 caktohet Komandant i Divizionit të Parë
1946 deri 1950 Komandant i Këmbësorisë në Tiranë
1950-1954 mbaron studimet në Akademinë Ushtarake''Frunze " në Moskë. Me kthimin në Shqipëri bëhet komandant i Korpusit të VII-të.
1955 gradohet gjeneral major dhe merr detyrën e shefit të kundra ajrorëve me shtrirje në të gjithë Shqipërinë.
1958 shkon në Moskë dhe mbaron akademinë e lartë për oficer shtabi. Më vonë në Akademinë Detare në Leningrad
1961 në klimën e rëndë sovjetiko-shqiptare emërohet komandant i Flotës Detare. Më vonë me botimin e letrës së hapur të Komitetit Qendror për reforma në ushtri e kudo, emërohet drejtor i Drejtorisë Politike.
Deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit në zonën e Vlorës si dhe anëtar i Komitetit Qendror në disa kongrese të Partisë.
20 korrik 1974 emërohet zëvendës ministër i Mbrojtjes
25 nëntor 1974 arrestohet dhe një vit më vonë pushkatohet.Në çastin e pushkatimit, sipas dëshmitarëve, Hito nuk pranon t'i mbyllin sytë dhe para se breshëritë t'i marrin jetën, thotë: "Rroftë, Shqipëria! Qëlloni, vetëm duhet ta dini se zbatoni një urdhër të padrejtë. Unë nuk jam armik i popullit dhe i këtij vendi!"
Stafi
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”: Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko - Jerzi Popielushko

Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin! Fritz Kolë Radovani
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4138
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Gjeneralët, Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Çako, të cilët u ekzekutuan më 5 nëntor të vitit 1975
Imazh
majtas-HITO CAKO ne mes BEQIR BALLUKU - djathtas PETRIT DUME

E Enjte, 16-04-2009

Procesverbali, çfarë thanë Petrit Dume dhe Beqir Balluku para pushkatimit

Nga Afrim Imaj

“Fjalën e fundit!” Zëri kumbues i kryehetuesit shkreptiu si rrufeja, duke thyer heshtjen që pllakosi momentet e para kur tre të dënuarit u vendosën në vendin e ekzekutimit. Sakaq, ata filluan njeri pas tjetrit t’i përgjigjen urdhrit të tij, duke shqiptuar secili në mënyrën e vet atë që u vinte në mënd. Pastaj, tre breshëri shtrinë përdhe tre gjeneralët e shpallur tradhtarë.E ndodhur pasditen e 5 nëntorit 1975, diku përskaj kodrave të Linzës, në gjunjët e Dajtit, ngjarja mbeti e burgosur për shumë vite në kujtesën e një grushti njerëzish, të cilëve regjimi u besoi aktin e fundit të tragjedisë monstruoze. Më në fund, njëri ndër ta pas një mëdyshje tunduese mundi të thyejë heshtjen, duke kapërcyer përbetimin e dikurshëm se për gjëra të tilla do të rrëfehej vetëm në varr. U desh një odise e tërë me telefonata e ndërhyrje të shumta, për t’u ulur një ditë vjeshte te kafja e tij e preferuar në rrugën e Durrësit. Na tregoi në fillim se kishte qenë sëmurë dhe ishte kuruar disa ditë në spital. “Pleqëri”, shtoi pastaj shpërfillshëm me një zë autoritar. Sakaq fjalët iu rralluan dhe dukej sikur dëgjonte një mendim brenda vetes. Në fytyrë hera-herës i avitej një hije e kuqërremtë duke konturuar pamjen e një mase të veshur me një maskë prej hekuri. “Fol, përse je munduar”, u hodh pa fshehur kërshërinë, duke më kapur për dore. Diku e ndjeu që e kishte tepruar me zymtësinë e tij dhe u mundua të shfaqej i sjellshëm. Një çast desha të dilja direkt në temë, por aty për aty hezitova. Sidoqoftë, diçka përmenda shkarazi dhe ai u gjallërua menjëherë. Fjala “mister” që përdora disi pa takt, i dogji dhe reagoi si ta kishte pickuar diçka. “Mister... për mua! Pa hë çfarë misteri na qenka ky?” Sytë e plakut u bënë njëherazi dinakë, gazmorë e çapkënë. Nuk kishte kohë për ta zgjatur më tej. Prandaj i fola hapur për historinë e gjeneralëve fatkeq, duke i kujtuar faktin se ai kishte qenë një nga dëshmitarët e paktë të çasteve të tyre të fundit. Sidoqoftë, as kjo nuk mundi të ndryshonte qoftë edhe një grim në pamjen e tij. “Kush të ka thënë?”. Fytyra iu mbërrol. Maska e fytyrës lëvriu. Për një moment u ndjeva keq dhe dyshova se mos kisha trokitur në derën e gabuar. Lëndimi i këtij burri të moçëm pastaj do më rëndonte shumë. Gjithsesi, tanimë loja ishte zbuluar e nuk mund të tërhiqesha. “Në qoftë se jam gabuar, mund të largohem”. “Jo, jo”, shtoi ai dhe më kapi sërish nga dora. “Atëherë mund të bisedojmë më shtruar”, ia ktheva. “Kush ju adresoi tek unë?”, u fut përsëri në bisedë dhe nisi të buzëqeshte lehtë duke më parë në sy. Aty për aty futa dorën në xhep dhe nxora dokumentin, që bënte fjalë për ngjarjen. Ia vura përpara dhe prisja me padurim si do reagonte. Ishte radha ime të vëreja si do t’i lëvrinin nervat e fytyrës. “Paske ardhur me dosje…. Mirë, po kadalë një herë… Duhet me qenë i saktë në të tilla sende…”
Teksa i hodhi një sy procesverbalit të firmosur para shumë vitesh, nisi të rrëfejë telegrafisht. Nuk bëhej fjalë për t’i bërë fotografi e për t’i vënë përpara diktofonin …

U kujtohet çasti kur morët për të ekzekutuar gjeneralët…

Si me ua thënë. Kanë kaluar vite qysh atëherë. Pastaj mosha, sëmundja, kanë bërë punën e vet…

E mbani mënd kush ua komunikoi urdhrin?

Urdhri, detyra speciale, siç i thoshim atëherë, për të tilla raste jepej drejtpërdrejt nga ministri i Brendshëm. Vet Kadri Hazbiu na i precizoi detyrat deri në detaje…

Ju thirri në zyrë…

Na dha detyrën, me atë mënyrën e tij. Kuptohet, ishim të zgjedhurit, të besuarit e tij. Kadri Hazbiu nuk e vinte lapsin kot. Prandaj…

Sa veta ishit që morët këtë detyrë?

Një rreth i ngushtë, tepër i ngushtë zyrtarësh dhe shoferi. Në fund të fundit çfarë duheshin të tjerët. Pastaj, veçoria e detyrës, shkalla e sekretit e kërkonte, që ngjarja të mbetej vetëm te pak njerëz…

E mbani mënd kohën, ishte dimër apo verë…

Vjeshtë besoj ishte. Më kujtohet që kur u kthyem, këpucët i kishim bërë tërë baltë. Një natë më parë kishte rënë shi i rrëmbyeshëm…

Në procesverbal thuhet se ekzekutimi u bë në vendin e caktuar…

Po, aty u bë. Në orën dhe zonën e caktuar…

Kush e kishte caktuar…

Organi kompetent. Në urdhrin e Kadri Hazbiut saktësohej ora 16:00 dhe fjala “vendi i caktuar”. Sa për këtë të fundit, ishim njohur më parë, bile e kishim shkelur me këmbë pëllëmbë për pëllëmbë…

E mbani mënd makinën me të cilën transportuat tre të dënuarit me vdekje…

Një gaz tip BC, në mos gaboj. Nga ato shtatë vendëshet. Me xhama të errët…

Si reaguan gjeneralët kur u nisët për te vendi i ekzekutimit?

Atë ditë e kishin humbur fare. Vetëm në pak orë ishin bombarduar me tre lajme të tmerrshme. Në mëngjes gjykata u komunikoi dënimin me vdekje (me pushkatim). Në drekë prokurori i njohu me përgjigjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, që refuzonte kërkesën e tyre për t’u falur jetën. Pasdite doli urdhri për t’i çuar te vendi i ekzekutimit…

Pra, brenda një dite u mor vendimi i gjykatës, u bë apeli për falje, u kthye përgjigjja negative dhe u bë ekzekutimi i gjeneralëve…

Të paktën, unë kështu e kam fiksuar. Sidoqoftë, ka shkresa për këtë. Aty janë ruajtur të gjitha me korrektësi.

Nejse, ju ishit i pranishëm kur gjeneralët i hipën në makinën e ekzekutimit…

Kam qenë i detyruar ligjërisht, që këtë procedurë ta ndiqja nga fillimi deri në fund. Atëherë nuk bëhej shaka, ca më tepër me detyra të kësaj natyre që ishin shumë delikate…

U kujtohet reagimi i gjeneralëve kur i njohët me urdhrin për ekzekutim?

Këtë moment, me thënë të drejtën, nuk e kam parasysh. Më kujtohen vetëm disa psherëtima të tyre në çastet kur i nxorëm në korridor e u hoqëm skafandrat…

Pra, një lloj proteste…

Nuk ishte protestë. Më shumë një reagim nga befasia që shkaktoi tek ta rrëmbimi i papritur. Njëri ndër ta, Beqiri, në mos gabofsha, psherëtiu nën zë në vesh të Hito Çakos “Ku na çojnë”. Pastaj ky i fundit ia ktheu me një lloj ironie “Në dasmë, nuk e sheh ku na çojnë”. Vetëm kaq, fjalën “dasmë”, “dhëndër” dhe një lloj skërmitje të dhëmbëve të Hito Çakos mbaj mënd nga ai çast. Sidoqoftë, kjo vetëm në një moment, se veprimet duheshin bërë shpejt dhe ata i hipën në makinë për t’i çuar për te vendi i ekzekutimit…

Ku i çuat për t’i ekzekutuar…

Te vendi i caktuar thoshte urdhri, aty duhej t’i çonim patjetër…

Ku ishte ky vendi i caktuar…

Një copë vend, diku në një pyll të maskuar, i ruajtur nga afër e në distancë me masa të rrepta sigurie dhe…

Ju mendoni se ende mbetet sekret vendi i ekzekutimit të gjeneralëve…

Sekret ishte për atë kohë. Për tani, unë si me dëftye. Nejse, gjeneralët u pushkatuan diku në Linzë, në një kodër sipër zonës së “Rrapit të Treshit”. Ndanë një përroi e në krah të një borige të veshur me koçimare…

Mbërritët aty, cili ishte komunikimi i fundit me të dënuarit?

Komunikimi i fundit thotë ky. Nuk shkuam për Kuvend aty. Do zbatonim një vendim gjykate dhe vetëm kaq. Në rastin konkret ata ishin viktima dhe dihej se çfarë i priste. Të gjitha veprimet tona deri tek imtësia më e madhe, ishin përcaktuar në urdhrin dhe udhëzimet e Kadri Hazbiut…

I mbani mënd porositë e Kadri Hazbiut që zbatuat atë ditë?

Gjëra teknike më tepër që kanë të bëjnë me mënyrën e ekzekutimit, me llojin e armës dhe distancën nga viktimat…

Vetëm kaq. Nuk kishte ndonjë porosi të veçantë…

Janë në letra ato, me hollësi nuk më kujtohen të gjitha. Nga porositë e Kadri Hazbiut, mbaj mënd këmbënguljen për të regjistruar me korrektësi fjalët e gjeneralëve para pushkatimit. E kishte veçuar këtë edhe në urdhrin që kishte bërë me shkrim…

Me një fjalë, para se t’i ekzekutonit u kërkuat që të shpreheshin…

Të dënuarve ua komunikoi këtë Nevzat Hazdenari. Ishim porositur t’i linim për t’u shprehur vetëm pesë minuta. Sa u urdhëruan për fjalën e fundit ta filluan njëri pas tjetrit të shqiptonin çfarë u vinte në mënd aty për aty. Pastaj, tre breshëri shtrinë përdhe tre gjeneralët e shpallur. I pari ra Petriti, pas tij Hitua e në fund Beqiri Balluku, që dukej sikur fjalët e fundit i kishin mbetur në grykë…

I mbani mënd fjalët e fundit të gjeneralëve?

Aty nuk kishte kohë për shumë gjëra. Ideja ishte për të marrë ndonjë mesazh, që nuk e kishin shprehur gjatë procesit. Më kujtohet që Beqir Balluku nuk foli fare. Petrit Dumja u shpreh “të rrojë partia e Shqipëria”. Ndërkaq, Hito Çakua me një pamje të egërsuar tha vetëm dy fjalë “mirë, bini, ç’prisni”…

Pastaj u kthyet e raportuat…

Kadri Hazbiu, me sa më kujtohet, kërkoi raport me shkrim për fjalët, që kishin thënë gjeneralët para pushkatimit. Na thanë të ishim të kujdesshëm, se këtë e kërkonte i madhi lart. Kam vrarë mendjen gjatë në atë kohë për këtë kërkesë të pazakontë, po…

Pati ndonjë reagim pas këtij raporti për ngjarjen?

Ne bëmë punën tonë, raportuam për sa na kërkohej dhe u kthyem në detyrë. Ato ditë Partia kishte ndezur një fushatë të madhe për luftën kundër puçistëve, siç quheshin atëherë gjeneralët e pushkatuar dhe me detajet e çasteve të ekzekutimit të tyre, nuk u mor njeri. Me sa duket letrat tona u sekretuan në arkiva dhe mbetën aty. Këto histori kanë filluar të hapen vitet e fundit…

Vitet e fundit është konfirmuar se vëndvarrimi i tre gjeneralëve të ekzekutuar në nëntor ‘75 ka qenë në Vranisht të Vlorës, ndërkohë që ju thoni se i keni pushkatuar në Linzë…

Unë dëshmoj për atë që kam parë me sy. Bile e them me plot gojë që ekzekutimi i tyre është bërë në Linzë. Çka ndodhur më tej atë natë apo të nesërmen, unë nuk di gjë.
Në raportin e ngjarjes që keni bërë nga vendi i ekzekutimit, thuhet se jeni vonuar 20 minuta nga koha e caktuar në urdhrin e ministrit…
Ka ndodhur vërtetë kështu. Teksa po merrnim gjeneralët për t’i çuar te vendi i ekzekutimit, njërin nga shoferët e caktuar për transportin e tyre e lajmëruan për një fatkeqësi në familje dhe u desh pak kohë sa për ta zëvendësuar…

Precedenti: Partizania që qëlloi Ramize Gjebrenë

“Në fillim qëlluam në ajër, pastaj shtimë drejt saj, për ta goditur nga këmbët. Ç’bëni, u marrosët!, klithi Ramize Gjebrea duke vështruar nga ne. Hito Çakua që e pa hezitimin tonë, u shkëput nga grupi ku qëndronte dhe me pistoletë në dorë u afrua tek partizania e dënuar. Ia vuri atë te koka dhe e shkrepi me rrëmbim disa herë. Ramizja u mbulua me gjak dhe ra në tokë pandjenja. Një heshtje varri pastaj pushtoi grumbullin e partizanëve që rrinin si të mpirë...” Rrëfimi i rrallë i S.L., ish-luftëtares së Brigadës së Pestë, u botua para disa kohësh te “Panorama”, duke zbuluar misterin e një ngjarje të shumëpërfolur. Për herë të parë, me dëshminë e saj u zbulua me detaje skena e çasteve fatale, e burgosur qysh atëherë në dosjen “Gjyqi partizan. Ekzekutim vendimi për cenim morali”. Padyshim që nuk e pati të lehtë, por sidoqoftë ish-pushkatarja ndjehej mirë, që më në fund i jepej mundësia ta kapërcente brengën e vjetër. Madje jo vetëm kaq, por në fund të rrëfimit S.L., na befasoi me një mesazh interesant. “Bëhet zhurmë, u shpreh ajo për të hapur dosjet, po më parë duhen hapur gojët e njerëzve. Të flasin dosjet e gjalla...”.

Urdhri i Kadri Hazbiut: Raportoni ç’thonë gjeneralët para pushkatimit

Në harkun e tetë orëve të një dite vjeshte janë nënshkruar tri dokumente zyrtare që kanë mbyllur procedurën e dënimit të tre gjeneralëve të shpallur puçistë e tradhtarë. Së paku në dosjen sekrete ku është hedhur e zeza mbi të bardhë, kjo shquhet pa shumë vështirësi, qoftë edhe me një vështrim të përciptë. Çuditërisht, ka ndodhur vërtet kështu: Vendimi për dënimin me vdekje të Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito Çakos, përgjigjja negative e Presidiumit të Kuvendit Popullor për t’u falur jetën dhe dokumenti i ekzekutimit të tyre, mbajnë të njëjtën datë: 5 nëntor 1975! Pra, gjyqi ndaj gjeneralëve komplotistë, mbledhja e organit zyrtar për shqyrtimin dhe kërkesën për falje dhe pushkatimi i tyre është bërë në këtë ditë. Të tria aktet zyrtare, veç datës, mbajnë edhe orën e nënshkrimit. Firma e parë është hedhur në orën 10:00 të paradites dhe ajo e fundit, e cila i përket raportit për ekzekutimin e të dënuarve, i përket orës 16:00. Gazeta “Panorama” ka mundur të sigurojë urdhrin sekret të Kadri Hazbiut, ish-ministrit të Brendshëm për ekzekutimin e të dënuarve Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako, në të cilin pasi bëhet i ditur refuzimi i kërkesës së tyre për t’u falur jetën nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, porositen ekzekutorët për zbatimin e vendimit të gjyqit në “vendin e caktuar”. Në të njëjtin dokument zyrtar, tërheq vëmendjen udhëzimi special i kreut të Sigurimit për të regjistruar fjalët e fundit të gjeneralëve para pushkatimit. Të përpiktë ndaj shefit, të besuarit e kryesigurimsit, pasi do të bënin ekzekutimin e gjeneralëve, do të raportonin me shkrim për aq sa dëgjuan nga goja e tyre. Në procesverbalin përkatës kanë mbetur të dokumentuara klithmat e fundit të gjeneralëve të martirizuar si puçistë e tradhtarë...

Urdhri: Pushkatoni në vendin e caktuar
URDHËR
Lënda: Mbi ekzekutimin me vdekje (pushkatim) të tre të dënuarve
Ministrisë së Punëve të Brendshme
Drejtorisë së Hetuesisë
TIRANË
Për njoftim Prokurorisë së Përgjithshme
TIRANË
Në bazë të Vendimit Nr.10 datë 5 nëntor 1975 të Gjykatës së Posaçme Ushtarake janë dënuar me vdekje (pushkatim) personat Beqir Ali Balluku, Petrit Taulla Dume dhe Hito Shaqo Çako.
Meqenëse Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën numër 850, datë 5 nëntor 1975 njofton refuzimin e kërkesës për faljen e jetës së tyre
URDHËROJ
Që të dënuarit Beqir Ali Balluku, Petrit Taulla Dume dhe Hito Shaqo Çako të ekzekutohen me vdekje (pushkatim) në vendin e caktuar më datë 5 nëntor 1975 ora 16:00
Për ekzekutimin e tyre, ngarkoj grupin e caktuar të Drejtorisë së Hetuesisë. Para se të ekzekutohen të njoftohen të dënuarit e sipërpërmendur se kërkesa për faljen e jetës, u refuzua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Pas ekzekutimit, i ngarkuari me punë duhet të bëjë procesverbalin e ekzekutimit të vendimit që mban edhe fjalët e fundit të të ekzekutuarve.
Ministri i Punëve të Brendshme
Kadri Hazbiu


Raporti: Fjalët e fundit të gjeneralëve

PROCESVERBAL

Në Tiranë, më 5/XI/1975
Në bazë të urdhrit të ministrit të Punëve të Brendshme Nr.850 datë 5/XI/1975, ora 16:00, në vendin e caktuar në prani të prokurorit Murat Kanani dhe të mjekut Nevzat Vigani, nga unë Nevzat Haznedari, i ngarkuari i Drejtorisë së Hetuesisë, u ekzekutua vendimi me vdekje për armiqtë komplotistë Beqir Ali Balluku, Petrit Taulla Dume dhe Hito Shaqo Çako.
Para ekzekutimit secili nga këta armiq u njoftua nga prokurori se Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi kërkesën e tyre për faljen e jetës. Mbas kësaj ata thanë:

1. Beqir Ali Balluku Imazh– Nuk foli fare
2. Petrit Taulla DumeImazh – “Të rrojë populli, të rrojë partia”
3. Hito Shaqo Çako – “Mirë”

Në përfundim u krye ekzekutimi i tyre nga unë Nevzat Haznedari dhe pasi u kontrolluan nga mjeku Nevzat Vigani, u konfirmua vdekja e tyre

Nevzat Haznedari Murat Kanani Nevzat Vigani
Tiranë, më 5. XI. 1975
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”: Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko - Jerzi Popielushko

Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin! Fritz Kolë Radovani
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4138
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
BEQIR BALLUKU
Imazh
Imazh
BEQIR BALLUKU ME SHOKUN E TIJ TE LUFTES - EKZEKUTORIN ENVER HOXHA

Beqir Balluku lindi më 14 shkurt 1917 në Tiranë. Studioi në Shkollën Teknike të Tiranës. U përfshi në lëvizjen komuniste qysh gjatë kohës që kryente shërbimin ushtarak (1940 ‑ 1942). Më 20 maj 1943 u caktua komandant i batalionit partizan "Krujë Ishëm", më 18 shtator 1943 komisar i brigadës së tretë dhe më pas komandant i Brigadës së Dytë. Më 28 janar 1948 ishte emëruar kryetar i Shtatmadhorisë së Ushtrisë. Kreu në Moskë Akademinë Ushtarake "Voroshillov". Në kongresin e parë të PKSH‑së u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe në vitin 1952 ministër i Mbrojtjes Popullore. Një vit më pas mori gradën më të lartë në Shqipëri, atë të gjeneral leitnantit. Balluku ishte gjithmonë deputet i Kuvendit Popullor.

Në korrik të vitit 1974 ai u akuzua si organizues i veprimtarisë puçiste ushtarake. U dënua me vdekje dhe u pushkatua më 5 nëntor 1975 për tradhti të lartë ndaj atdheut. Eshtrat ju gjetën në vëren e vitit 2001.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”: Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko - Jerzi Popielushko

Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin! Fritz Kolë Radovani
Posto një përgjigje 7 postime · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 3 vizitorë
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 30 Gusht 2014, 10:08
Designed by Monitonix
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari