Widgetized Section

Go to Admin » Appearance » Widgets » and move Gabfire Widget: Social into that MastheadOverlay zone

Dom Ernesti: Më dënuan se çova meshë për Kenedin në 1963

Lexuar 1240
Dom Ernest Troshani tregon se si u dënua me vdekje pasi kishte zbatuar urdhrin e Papa Palit të VI-të, për të çuar meshë për Presidentin e vrarë amerikan Xhon Kenedi. Por, ky dënim me vdekje u shndërrua në dënim prej 18 vitesh. Ai u arrestua më 1963 për agjitacion e propagandë. Pas 10 vitesh, më 1973 do të futet në listë për t’u dënuar bashkë me 12 të dënuar të tjerë, pasi akuzohet se ka dhënë një kontribut të madh në revoltën në burgun e Spaçit, ndërkohë që kishte qenë në gjumë në momentin e kësaj ngjarjeje. Kësaj radhe e shpëtojnë pamjet filmike dhe vetë, Feqor Shehu. Dom Ernesti më pas tregon për aftësinë e tij që ka si ekzorcist, pra për të shpëtuar njerëzit nga shpirtrat e këqij. Është nga të vetmit priftërinj që e ushtron këtë të drejtë në Shqipëri.

Dom Ernesti pasi mbaruat kolegjin e fretërve ku u emëruat?
Pasi dola prej kolegjit, që pushkatuan Patër Çiprian Nikën, Patër Gjon Shllakun, Patër Danilen Dajani, një mik i klasës më futi mësues në Mal të Rrencit, në atë vend, hala edhe sot nuk ka rrugë automobilistike. Aty pata mundësinë që hem të baja katekizëm dhe hem të baja mësim gjysëm dite fëmijëve prej klasës së parë deri në klasën e katërt. Kshtu vazhdova 1948, ’49 dhe ’51-in. I bija organos në kishën e Troshanit dhe Kallmetit. Fëmijët thonin uratë, banin kryqin, nuk ishte frika atëherë në ’49.

U përfshitë më pas në bashkëpunimin me shtetin për të hartuar statutin e Kishës, pas marrjes së pushtetit nga komunistët…
Më 1951 u ba thirrja prej qeverisë për me krijue statutin dhe për me fillue aktiviteti fetar i Kishës. I bana lutjen Ipeshkvit për me vazhdue për me u ba meshtar. Meshtart nuk merreshin në shërbimin ushtarak, por mua më morën ushtar në 1953, e kam ba dy vjet ushtri. Dyshoj se mund të ishte edhe me më eliminue, për shkak se unë flisja shumë për fenë. Por i madhi Zot më ruajti, dhe jo për ndonjë gja, por unë si vitin e parë të ushtrisë ashtu dhe në të dytin zuna vendin e parë. Dhe Panajot Plaku u habit për këtë gja. Në nandor të ’55 me ndihmë të Zotit e kreva ushtrinë dhe u ktheva në shpi dhe vazhdova për me marrë urdhrin e meshtarisë.

Edhe pse regjimi komunist kishte fituar ju vazhduat aktivitetin tuaj. Çfarë ndodhi më 1963?
Pasi u bana meshtar më 7-8 prill vazhdova shërbimin në Shkodër, pastaj në Kakarriq, Kuklit, Barbullushit, Gocajve, Malit Jushit deri në 1963. Natën e Krishtlindjeve në atë vit e ndjeva se do më arrestoshin se frekuentimi i popullit në kishë për atë natë ishte shumë i madh. Ndodhi edhe manadej një ngjarje të çuditshme gjashtë muaj ma përpara, populli shihte shenjtit Shna Ndue që ulte kryet, tuj piku djersë e tuj i skuqë, unë s’kam pa gja me sy. I tham ipeshkvit këtë gja dhe ai thotë se populli kështu po e sheh Shejtit Shna Ndue edhe në Laç dhe më thotë ishalla nuk asht ndonjë gja e keqe për ty. Edhe 10 ditë para se me më arrestue më vjen një çift dhe me sjellin 3 kile voj ullini. Më thanë se kishin pasë djalin tuj dekë se asht rrëzue nga kati i tretë. Tre inxhinierë me origjinë turke, njeni e kishte gruen shqiptare, dhe atyne u kishin thanë se djali u ka vdekë. Ndërsa po ruanin djalin, ai ishte çue në 12 të natës dhe u kishte kërkue bukë dhe u shpjegoi se kishte pa një andërr. Kishte pa në andërr kishën e Barbullushit. Më vjen e më thonë kështu, në fillim nuk u besova, por kishte kenë fakt i vërtetë, djali ishte shërue. Pasi mbarova burgun njerzt e sigurimit më thanë ‘a ti ke kenë se asht ba zhurmë në tanë Tiranen për shërimin e një djali të çuditshëm dhe ka kërkue vetë byroja e athershme për me e shue këtë përshtypje kaq të madhe që kishte ba në popull kjo ngjarje’.

Cili ishte prova tjetër që u përdor kundër jush në gjyq?
Përveç aktivitetit fetar, që hynte te agjitacioni dhe propaganda, isha i regjistruem në revistën ruse në gjuhë franceze “L’Unione Sovietic”, që vinte nga Moska, ishte revistë e bukur. Kur u vra Xhon Kenedi 19 nandor ’93, Papa Pali i VI dha urdhën për me çue tre meshë për te në çdo kishë, se ishte i pari president katolik romak. E ndiva në radio dhe e plotsova. Por fjala ecë dhe ishte marrë vesh në sigurim. Më kontrollojnë shpinë dhe me gjejnë revistën sovjetike, ku një ndër numrat ishte për Xhon Kenedin. Më thonë në gjyq që ka çue meshë për kriminelin ma të madh që ka pasë bota, duke pasqyrue revistën ndër popull.

Dhe kur ju arrestuan?
Pikërisht natën e Krishtlindjeve më vunë hekurat dhe më thanë se je i arrestuem në emën të popullit. Më paraqesin vendimin me u pushkatue. Më çuen në birucë, aty më treguen regjistrue të gjitha shërbimet që kishte ba për popullin për tetë vjet. Më thanën se i kisha thanë popullit mos me e tradhtue Krishtin e me dekë për te, prandaj ke dënimin ma të madh. Por në ket botë, njeriu flet, por vendimin e merr dora hyjnore që na ka krijue ate. Në atë çast me futen një mik temin që kisha qëndrue shumë herë me te para se me u arrestue. Ai më thotë se më kishin dënue me vdekje e cili ishte mendimi jem për te, se këta duen me shkatrrue kishë e xhami. I tham unë që Krishti na ka msue me i fal anmiqtë, me i dashtë anmiqtë, me u lutë për ta. Enver Hoxha asht ndër udhëheqsit ma të mdhaj të ideologjisë komuniste, për mue e ruajte dhe i bekoftë të tanë, për Krishtin nuk më dhimbset jeta. Pas një jave një oficer më tha që m’asht falë jeta, shkaku sipas atij ishte që unë s’isha anmik i betuem, por isha msue prej të tjerve. U ba një gjyq fals, me dëshmitarë që kishin ardhë aty për një kashatë bukë. Më thanen ke thanë këtë e atë, kryehetuesi më tha se a ke kujtue se je te Papa i Romës. I tham se në statut e kena fenë e lirë, unë kam folë për të mirën e Zotit e të njerzve. Atëherë don i madhi i Zot më dënuen 18 vjet. E fillova punë në uzinën e Rubikut, në uzinën e Laçit, në fabrikën e çimentos në Elbasan, masandej kena ardhë në Reps, aty kena ba ndërtesat tona për me punue në minierën e Spaçit. Aty ishin 600 vetë në tri turne, që prodhoshim bakër.

A ishte e vështirë puna në minierë?
Në minierë ishte mjaft e vshtirë dhe e randë. Kur punojshim brenda në ndriçuem vetëm me karbit e humbje idenë a kishte botë apo jo. Po të gjithë, 600 vetë, të gjithë ishin shndoshë, falë Zotit. Duhet të theksoj se aty dilte acidi sulfurik, që përdorej në superfosfatin e Laçit. Uji i pishëm i joni kalonte në tuba, që ishin shpue, dhe në këto vende ku ishte shpue hynte acidi sulfurik dhe në kamp e pinin 2000 e sa vetë. Disa mjekë, të partisë ata na thanen se kishin gjetë Zotin në kamp. Na thanen se ba me e pi kte uj në Shkodër brenda nja jave i gjithë populli i tund kambt, këtu 2500 vetë asnjë nuk ankohet as për dhimbje stomaku. Ishte dashnia e të madhit Zot që na shpëtoi.

Kur ishit në Spaç keni rrezikuar një dënim të dytë, për çfarë donin t’ju dënonin Dom Ernesti?
Në burgun e Spaçit në 1973 u ba një revoltë shumë e rrezikshme, se ishte një kohë që u ndje pak liberalizëm. Unë si meshtar që isha, 14 vjet vetëm aty, u thojsha mos ndërmerrni ndonjë hap të gabuem se gjithçka asht e pavlefshme, asht në damin tuej dhe po merrni në qafë familjet tuaja. Por mjerisht u ba dhe kështu 4 vetë iu ba gjyqi në kamp nalt dhe i pushkatuen. Edhe unë isha një nga 12 të dënuemt, pasi sipas tyne, i kisha çue në revoltë të burgosunit. Por ata i kishin filmue të gjitha, unë në atë kohë kisha qenë gjumë. Ishte ndërhyrja e Feqor Shehut, që pasi pa dokumentacionin bani që na të 12 të mos dënoheshim sërish në burg për revoltë.

Pasi u liruat ku punuar dhe si e përjetuat ngjarjet e 1990?
Pasi u lirova në 1981 u dënova vetëm në kanalet e nevojtoreve. Shkaku i dënimit ishte se kisha pas mbajtë qëndrim anmiqsor edhe në minierë. 5 shtator a kenë në 1990 kur më thërrasin në sigurim, të gjithë të bekuem, pas pesë orësh më vjen shefi i degës atëherë Dilaver Papare. Unë mendova se dojshin me më dënue prapë, të kena thirrë më të thanë se feja do hapet, çdo lagje do të ketë kishën e vet të re, këtu do të vijë edhe Vatikani. Të lutem mos të kemi asnjë incident në popull. Ishin fjalë aq të ndriçme sa nuk mund ta besojsha. A përnjimend e keni? I pyeta, po, m’u përgjigjën. Mori një procesverbal të madh, ku regjistruan gjitha ç’ka kishin thanë. Por pa vendim, e pa statut kishtar nuk mund të bajsha asgja, se fjala sot thuhet e nesër hahet.

Ekzorcizmi

Dom Ernesti ju njiheni një nga të paktë priftërinj, për të mos të thënë i vetmi, që ushtroni ekzorcizmin, pra shpëtimin e njeriut nga shpirtrat e këqij…
Kur njeriu e vazhdon jetën e tij në mëkat, atëherë dihet që asht i pushtuem nga shpirtrat e këqinj. Kryetarin e ekzocistave të kishës sot në botë është patër gabriel amort, të cilin e kam pa vetë që ka thanë se ka shpëtue 73 mijë njerëz me shpirtra të ndytë. Forca e djallit është shkatrrimtare, të gjithë ndysitë që ndodhin në botë kanë vulën e tij për ta përça botën. Më ka ndodhë, që me forcën e Krishtit dhe me fjalën e tij të dalin prej trupit që ekzistojnë. Për këtë mund të flasin të gjithë ata që janë shërue nga vetë Krishti, nga fjalët e tij dhe kush të na lexojë dhe kush ka nevojë, me ndihmën e Krishtit Zot, për me pasë paqe në familje, për shërimin e shëndetit dhe trupit.

A keni pasur raste personale, a i njihni ato me emër dhe çfarë bëni në një moment të tillë, pra si e ushtroni ekzorcizmin?
Raste janë të shumta. Pesëdhjetë vjet ma përpara ishte një grua në Laç të Kurbinit dhe më thanë atë fretënit priftrinjtë që a po i ban ekzorcizëm. Pranova dhe shkova. Ishte një grua e bashme, e mbajtëm rreth 24 orë gjashtë burra, vetëm pas 24 orësh pasi lshoi një ushtimë dhe u djersit i vuna duart në emër të Krishtit Zot dhe pshtoi. Pastaj janë raste të ndryshme me frymë të ndryshme. Kur bajmë ekzorcimën na nuk i lutna shpirtnave me dalë jashtë, por i japim urdhën në emër të Krishtit Zot për më i pshtue shpirtin e ata njerëz që janë të pushtuem nga këta shpirta. Por duhet me kenë zbatues të ligjit të Zotit. njerëzit janë sot për nesër, por limitin e ka dhanë vetë i madhi i Zot. Ky ka kenë rasti i parë i jemi. Para se me më arrestue në ’59 me erdhën tre gra e më thanën kena pare boll, kena ar boll, kena të gjitha, na shpëto djalin, e djali asht shpëtue. Unë nuk i kam marrë asnjëherë emna njerëzve. Por due me thanë se një nga kushtet e randësishme për me ba një ekzorcizëm, asht që njeriu që e ban me kenë i pastër brenda vedit me besue fort në fjalën e të madhit Zot.
Gazeta Shqiptare

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 24/12/2010. Filed under Krimet komuniste shqiptare. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry